Forcat RENEA - Foto: Facebook/PoliciaeShtetit

Shqipëria pjesë e operacionit kundër grupit që trafikoi mbi 1.6 ton kokainë e heroinë

Policia shqiptare dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e Shqipërisë kanë luajtur një rol aktiv në një operacion ndërkombëtar për goditjen e veprimtarisë në fushën e drogave të forta.

Operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar me emrin “Goldfinger” është koordinuar nga EUROPOL dhe është drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë.

Operacioni është shtrirë në Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri.

Siç njofton Policia e Shtetit, autoritetet daneze të hetimit si vend lider i këtij hetimi, bashkëpunuan me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj.

Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, konkretisht Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet daneze, regjistruan procedimin penal në vitin 2019.

“Sot, në koordinim të plotë me EUROPOL, autoritet e hetimit të Danimarkës, ato të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë, realizuan goditjen në një kohë, të këtij grupi kriminal. Është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Si rezultat i operacionit u arrestuan mbi 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 40 kg kokainë, janë kontrolluar dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, armë zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.

Në Shqipëri gjatë fazës operacionale janë përfshirë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Tiranë dhe Korçë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mëngjesin e sotëm në Shkodër, u bë arrestimi i shtetasit A. B., 51 vjeç, banues në Shkodër, me rol aktiv (kryetar i grupit kriminal), për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Po ashtu, është shpallur në kërkim një shtetas tjetër, por për arsye hetimi, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet.

Në Shqipëri janë sekuestruar rreth 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.