Asambleja e Përgjithshme e OKB-së - Foto: Rtv21

Shqipëria Del Kundër Qëndrimit Amerikan

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që i bën thirrje ShBA-së të tërheqë njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i  Izraelit.

Rezoluta u miratua me 128 vota pro, 35 abstenime dhe 9 vota kundër.

Teksti i saj thotë se çdo vendim që ka të bëjë me statusin e Jerusalemit është i pavlefshëm dhe duhet anuluar.

Mes votave kundër rezolutës ishin padyshim ShBA dhe Izraeli, i cili e cilësoi OKB-në më herët një shtëpi gënjeshtrash, ndërsa mes abstenimeve bie në sy Kanadaja dhe Meksika, të cilat ndërsa kritikuan qëndrimin amerikan, gjithashtu fshikulluan edhe OKB-në se me një rezolutë të tillë të njëanshme nuk bën asgjë për paqen.

Vota e sotme ishte një moment i veçantë për Shqipërinë, që votoi kundër vendimit të presidentit Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Vetë presidenti Trump kishte thënë më herët se kombeve që do të votonin kundër Amerikës do t’iu ndërpritej asistenca financiare, shkruan tch.

Shqipëria është pikërisht njëri prej vendeve që e përfiton këtë lloj mbështetjeje nga Shtetet e Bashkuara.

Më herët edhe ambasadorja amerikane në OKB, Nikky Haley kishte paralajmëruar se do të mbaheshin shënim mënyra se si do të votonin të gjitha shtetet.

Ndërkohë që ambasadorja dhe bashkëshorti i saj me origjinë shqiptare kishin marrë pjesë gjatë të mërkurës në një pritje të konsullatës së përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, ku ambasadorja kishte premtuar Shtetet e Bashkuara do të angazhoheshin fuqishëm për njohje të tjera të pavarësisë së Kosovës.

Seanca emergjence si e kjo e sotmja janë vetëm 10 që prej vitit 1950 dhe hera e fundit kur u zhvillua një mbledhje e tillë në OKB ishte në 2009-tën, ku ne fokus ishin pikërisht diskutimet për Jerusalemin lindor dhe territoret e pushtuara palestineze.

Shqipëria e vogël u përfshi në këtë çështje globale për shkak të angazhimit të saj në organizmat ndërkombëtarë.

Një javë më parë Shqipëria mori pjesë në samitin urgjent të Organizatës së bashkëpunimit islamik në Stamboll, ku rezoluta e përbashkët ku Jerusalemi u thirr me emrin arab Al-Quds, dënoi vendimi e presidentit Trump për njohjen e Jerusalemit, duke u shprehur se vendimi i presidentit Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit ishte një tërheqje e Washingtonit nga roli i tij në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Një ditë më pas, ministri Bushati në një farë mënyre e kishte pohuar qëndrimin e Shqipërisë, kur kishte justifikuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit islamik. /21Media