Shqipëri: Kush cenon zgjedhjet, 1-5 vjet burg!

Protestat apo tubimet në datën 29 dhe 30 qershor janë kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal. Kështu u shpreh drejtori i Rendit Publik, Albert Dervishaj në një deklaratë për masat e marrë nga policia gjatë procesit zgjedhor.

“Çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, pasi konsiderohen vepra penale të cilat prekin dhe cenojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të zgjedhësve apo personave për të ushtruar të drejtën e votës, të parashikuara në Kreun e X-të të Kodit Penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet”, tha Dervishaj.

Po ashtu, Dervishaj tha se ditën e zgjedhjeve ndalohet grumbullimi i personave para qendrave të votimit.

“Gjithashtu, në Vendimin e KQZ-së me Nr. 498 datë 24.06.2017 përcaktohet se gjatë ditës së votimit nga momenti i hapjes së qendrave të votimit në orën 07:00 deri në momentin e mbylljes së tyre në orën 19:00, ndalohet qëndrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave të cilët nuk janë parashikuar nga neni 110 i Kodit Zgjedhor, në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit (oborret, korridoret, apo përpara hyrjes në objekt ku janë vendosur qendrat e votimit). Sqaroj se Policia e Shtetit në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe Udhëzimin nr. 7, datë 23.03.2009 “Për detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë në zgjedhje”, i ndryshuar, sikurse u thanë më lart, ka planifikuar masat për ruajtjen e sigurimin e objekteve zgjedhore, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në territor, ndërhyrjen për rivendosjen e rendit publik etj., sipas kërkesave ligjore dhe procedurave standarde të miratuara”, u shpreh tutje ai.

7 mijë e 779 punonjës policie do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor ditën e diel.