Shqetësime për Emërimin e Vulinit si Ministër i Mbrojtjes në Serbi

Një ekspert serb kritikoi vendimin për të bërë ministrin kontravers të punës të Serbisë, Aleksandar Vulin, si ministër të ri të mbrojtjes të vendit për shkak të pikëpamjeve të tij nacionaliste dhe të kaluarës së tij të përshkuar me grindje me vendet e tjera në rajon.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj gjithashtu e kritikoi vendimin, duke e quajtur Vulinin “përkrahës të forcave paramilitare”, emërimi i të cilit sinjalizoi militarizimin e mëtejshëm të Serbisë.

“Skena të tilla kundërthënëse rrezikojnë thellimin e mosbesimit rajonal dhe shmangien e normalizimit të marrëdhënieve”, tha Hoxhaj për BIRN.

Eksperti i politikës së jashtme, Bosko Jakshiq ishte gjithashtu kritik ndaj vendimit, duke shtuar se ndërsa ai nuk beson se Vulin mund të kërcënonte seriozisht stabilitetin rajonal, ai dërgoi një mesazh të keq.

“Ashtu si zgjedhja e Ana Brnabiq [si kryeministre e re e Serbisë] ishte një sinjal i mirë për Perëndimin, ky është një sinjal i keq për rajonin”, tha Jakshiq për BIRN, duke shtuar se ishte “mahnitëse” se si u ndanë dhe u shkëmbyen postet e ministrave në Serbi.

Ministri i Punës në qeverinë e mëparshme do të ndërrojnë vendet me ministrin e mëparshëm të mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq.

Presidenti Aleksandar Vuçiq i tha shtypit të martën se nuk kishte pasur presione nga ambasadat e huaja kundër emërtimit të Vulin në postën e ministrit të mbrojtjes. Disa media kishin paraqitur që SHBA ishte kundër emërimit të Vulinit.

Ndonëse ai e mban veten si majtist, Vulin ka mbështetur masat shtrënguese të miratuara nga qeveria serbe dhe mbetet një nacionalist serioz serb dhe një kundërshtar i egër i shqiptarëve të Kosovës në veçanti.

Si kreu i zyrës së qeverisë serbe në Kosovë, ai mbajti një uniformë të zezë ushtarake në vizitat në Kosovë, duke bërë që kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ta kërcënonte me arrestim.

Ai u ndalua që të hyjë në Kosovë në disa raste për shkak të deklaratave të perceptuara anti-shqiptare.

Ai e quajti Ramush Haradinajn, ish-udhëheqësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, i cila luftoi për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, një “kriminel” i cili ishte “i zemëruar nga gjaku që kishte derdhur” gjatë luftës për pavarësi në vitin 1999.

Vulin ka akuzuar rregullisht politikanët kosovarë dhe shqiptarë për ndjekjen e agjendës “Shqipëria e Madhe” që synon bashkimin e të gjitha trojeve ku jetojnë shqiptarët në Ballkan.

“Nëse Gjermania e Madhe ia vuri botës flakën 72 vjet më parë, pse dikush do të dyshonte se Shqipëria e Madhe do t’ja vinte flakën Ballkanit”, paralajmëroi Vulin në mënyrë apokaliptike në maj të vitit 2017.

Pasi kryeministri aktual i Maqedonisë, Zoran Zaev – atëherë në opozitë – akuzoi Vuçiqin [kryeministrin e Serbisë] për nacionalizmin serb, Vulin pyeste veten në publik nëse ‘sulmi’ i Zaevit ishte ideja e tij ose nëse ai kishte vepruar sipas udhëzimeve shqiptare.

Deklaratat e tij për Kroacinë kanë shkaktuar gjithashtu tensione diplomatike.

Në vitin 2015, Kroacia e tërhoqi ambasadorin e saj në Serbi, duke u ankuar për deklaratat “ofensive, të papranueshme dhe të papërgjegjshme” të Vulinit pas një sërë kërkesash të Tribunalit të Hagës që Serbia të kthejë në paraburgim kreun e Partisë Radikale, Serbe Vojislav Sheshel.

Vitin e kaluar, Vulin akuzoi Kroacinë se kishte “kaluar në çmenduri” dhe që nuk kishte “asnjë forcë për t’u larguar nga fashizmi”.

Ai gjithashtu i tha medias serbe të jenë më “kritikë” kur ata të publikojnë materialet nga mediat kroate, duke thënë se raportet e tyre kishin për qëllim “të prishin marrëdhëniet e mira midis Serbisë dhe Rusisë”.

Vulin filloi karrierën e tij politike në Lidhjen e Komunistëve – Lëvizja për Jugosllavinë, një parti e formuar në vitin 1990 nga mbetjet e Lidhjes Komuniste të vjetër në pushtet.

Në vitin 1994, ai ishte themelues dhe më vonë zëdhënës i të Majtës Jugosllave, JUL, e cila u drejtua nga gruaja e Sllobodan Millosheviqit, Mirjana Markoviq dhe që punonte ngushtë me regjimin e Millosheviqit.

Në vitin 2000, ai formoi një parti të re, Partinë e Majtë Demokratike, e cila u bashkua me Partinë Socialiste të Serbisë, SPS, vetëm dy vjet më vonë.

Në vitin 2006 ai u largua nga socialistët dhe në vitin 2008 formoi Lëvizjen Socialiste.

Në vitin 2010, ai u bashkua me koalicionin e kryesuar nga Partia Progresiste Serbe e Vuçiqit, e cila fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2012, pas së cilës Vulin kryesoi zyrën e qeverisë për Kosovën, post që e mbajti deri në vitin 2014, kur u bë Ministër i Punës, Veteranëve dhe Politikës Sociale.