Shpresa që Ngjall Parisi te Kampionët

Nëse vlen thënia popullore se dita e mirë shihet në mëngjes, atëherë viti 2016 ka nisur mbarë për xhudistët kosovarë, thotë trajneri Driton Kuka, i cili madje fillimin e këtij viti e cilëson “start të shkëlqyeshëm” për nxënësit e tij, sidomos për kampionen botërore Majlinda Kelmendi.

Në një rrëfim ekskluziv për KALLXO.com, Driton Kuka dhe xhudistët Majlinda Kelmendi dhe Nora e Akil Gjakova, kanë dhënë detaje për atmosferën dhe emocionet gjatë garave të Grand Slamit në Paris, më 6 shkurt, ku Majlinda u stolis për herë të tretë radhazi me medaljen e artë.

Trajneri Kuka thotë se 2015 ka qenë vit i vështirë për Majlindën. Këtë e pohon edhe vetë kampionia e botës, e cila tregon se është hamendur a të hyjë a jo në arenë në Paris për shkak të lëndimit në shpinë.

Frika e Majlindës para luftërave

“Kisha frikë mos po e lëndoj shpinën më shumë. Mirëpo, në fund vendosa të hyj. Thjesht vendosa të jap maksimumin dhe thash çka do që të ndodhë le të ndodhë”, rrëfen për KALLXO.com Majlinda Kelmendi, sipas të cilës për fat të mirë gara ka ecur dhe përfunduar më mirë se sa që e ka pritur, pavarësisht se ka pasur dhimbje dhe frikësohej se mos po i ftoheshin muskujt dhe po i shtangohej shpina.

Pas fitores në finale kundër rumunes Andreea Chitu, Majlinda thotë se emocionet kanë qenë të përziera. E pranon se ka qenë shumë e gëzuar. Në momentin kur i është varur medalja e artë në qafë dhe pas intonimit të himnit të Republikës së Kosovës, kampionen e kanë tradhtuar lotët. “Kanë qenë lot gëzimi”, thotë ajo.

Emocionet e saj thotë se i kupton edhe trajneri Driton Kuka. “Majlinda ka pasur ditë të vështira dhe në kushte të tilla ka ngadhënjyer”, thekson Kuka, duke shtuar se me atë që ka treguar në pallatin Bercy të Parisit kampionia ka mahnitur gjithë botën.

Sipas tij, Grand Slam i Parisit është një garë e fortë dhe njeriu s’ka se si të mos emocionohet kur të fitojë luftërat që zhvillohen para 20 mijë spektatorëve.

http://kallxo.com/majlinda-serish-e-arte/

Majlinda Kelmendi po përgatitet tash për cakun tjetër – Lojërat Olimpike të Rios që mbahen gjatë verës. Për të qenë në formë sa më të mirë, ajo do t’i përkushtohet intenzivisht ushtrimeve, të cilat megjithatë i zhvillon në një sallë, e cila sipas trajnerit Kuka nuk është e nivelit çfarë e meriton kampionia.

Driton Kuka i është mirënjohës emisionit “Jeta në Kosovë“, i cili ka ndikuar që të përmirësohen sadopak kushtet në sallën ku klubi i xhudos i mban ushtrimet. Çështja e ngrohjes është rregulluar paksa, thotë ai, pasi emisioni juaj e ka ngritur si problematikë. Por, shton Kuka, çështja e financimit nuk është ajo që duhet të jetë.

KALLXO.com pati raportuar vitin e kaluar se kampionia kishte probleme në vendin ku po ushtronte për të marrë kupat e botës. Salla ku mban stërvitjet klubi “Ippon” ishte akull e ftohtë. Majlindës i është dashur që gjatë ushtrimeve të mbante mbathur çorape të leshta.

http://kallxo.com/majlinda-kelmendi-kampionia-qe-mund-ta-braktise-vendlindjen/

Edhe Nora Gjakova, e cila njihet për suksesin e saj në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku, thotë se është emocionuar nga suksesi i Majlindës në Paris, ku vetë ajo ka humbur në luftën e dytë. Konsideron se Grand Slam i Parisit është një prej garave më të forta të xhudos.

Intonimi i himnit të Republikës së Kosovës e ka emocionuar, ndonëse thotë se “jemi mësu tash me pa flamurin e Kosovës në krye të flamujve të tjerë”.

Një pjesëmarrës tjetër në Grand Slam-in e Parisit ishte edhe xhudisti Akil Gjakova, i cili në këtë garë ishte për herë të parë.

Edhe Akili është ndjerë i emocionuar pas fitores së Majlindës, sepse, sipas tij, nuk është e lehtë të dilet i pari në këtë garë. “Majlinda e ka arritur këtë me shumë punë dhe sakrificë“, tha Akil Gjakova, teksa shfaqi shpresën se edhe atij një ditë do t’i shpëtojnë lotët e gëzimit sikur Majlinda Kelmendit pas fitores në këtë garë të fortë.

Frustrimi karshi televizionit publik

Driton Kuka për KALLXO.com ka folur edhe rreth bujës së shkaktuar nga mospritja e Majlindës nga asnjë zyrtar institucional.

Me këtë rast ka thënë se ajo që ai dhe ekipi i tij e kanë potencuar më shumë ka qenë karshi redaksisë së sportit të televizionit publik, sepse, sipas tij televizioni publik ligjërisht e ka për detyrë të shpërfaqë atë që është interes nacional dhe në këtë rast Majlinda Kelmendi është një ndër ato që shtetin e Kosovës e kanë çuar në kuptim pozitiv shumë lartë në arenën ndërkombëtare.

“Në studio të RTK-së ka shumë vite që Majlinda nuk është ftu, dhe pikërisht një frustrim i vogël i ekipit tonë është karshi kësaj. Jo pse RTK nuk na ka dhënë hapësirë në emisione të natyrave tjera, por në studio si mysafir Majlinda ka 3-4 vite që nuk është ftu. Jo vetëm Majlinda, por as Nora Gjakova pas fitores së medaljes në Baku, as Distria Krasniqi pas fitimit të titullit të kampionit botëror për junior”, theksoi Kuka.

Në lidhje me këtë çështje, Blerim Vuniqi redaktor në redaksinë e sportit në televizionin publik thotë se nuk kanë kaluar aq vjet prej që kampionët nuk kanë qenë në studio.

“Për emisionin e sportit të Vitit të Ri atyre iu ka kushtu 20 deri 30 minuta… Gjithmonë kemi pasur lidhje te drejtpërdrejta prej aeroportit, ku kemi pasur edhe intervista me ta, por me siguri se atyre duhet me ju kushtu shumë më tepër vëmendje jo vetëm mediumet por edhe institucionet, sepse Majlinda është krenaria jonë. Me ato kapacitetet jemi mundu të jemi aty ku janë sukseset e tyre” tha Vuniqi për KALLXO.com.

[interaction id=”56c21c6aee2dfdd36037e07d”]