Shpjegimi Opozitar për Demarkacionin

Haradinaj gjatë takimit të subjekteve opozitare me qytetarë të Pejës tha se Amerika nuk tha se ku duhet të jetë kufiri Kosovë-Mali i Zi.

“Amerika nuk ka thënë eksplicit se kufiri duhet të jetë në Kuçishtë, e jo në Çakorr, rrenë është çka po flasin këta tanët. Nuk ka thënë Amerika që s’bon të jetë kufiri në Qafë të Çakorrit, nuk ka thënë Amerika që s’bon kufiri me qenë në Kullë të Zhlepit, po duhet të jetë këtu, nuk tha kështu Amerika,” shpjegoi Haradinaj.

Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë të lëshuar më 21 dhjetor tha se kufijtë e përcaktuar në marrëveshjen për demarkacionin që u nënshkrua më 26 gusht në Vjenë. Përputhen me ata të vitit 1974.

“Pas një shqyrtimi të hartave nga 1940 deri më sot, duke përfshirë edhe ato të përdorura nga komisioni për shënimin e kufirit, Departamenti i Shtetit se kufiri i caktuar së fundmi përputhet ngusht me kufirin e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974,” thuhej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

http://kallxo.com/amerika-konfirmon-kufirin-kosove-mali-i-zi/

Por Haradinaj në Pejë tha se Amerikës i janë fshehur hartat.

“Amerika ka thënë i kemi shikuar letrat në të cilat ka punuar Murat Meha, e nuk po gjejmë gabim. Nuk janë gabimet në letra që janë përdorë, por janë gabimet në ato ( letrat ) që nuk janë përdorur dhe janë fshehur,“ tha Haradinaj.

Ai më pas deklaroi se ta pengosh kthimin e Serbisë në Kosovë nuk je antievropian dhe antiamerikan.

“Pra, me thënë nuk e duam kthimin e Serbisë në  Kosovë, as me tanke as me letra, as nuk je antievropian,as antiamerikan, as nuk je antiaskujt mbi këtë dhe. Por je njeri i mençur që e di çfarë është e mira e popullit tënd e çka është e mira edhe e kojshisë, “ tha kreu i AAK-së.

Përfaqësuesit e opozitës u bënë thirrje dukagjinasve që të marrin pjesë  të gjithë në protestën e 9 janarit në Prishtinë .

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se me pak mjete që kanë do mundohen t’u sigurojnë transportin të gjithë atyre që do marrin pjesë të shtunën në protestë.

Ramush Haradinaj edhe në manifestimin opozitar po në Pejë të mbajtur më 16 dhjetor 2015 kishte kërkuar ndihmën e Amerikës për refuzim të marrëveshjeve, duke iu drejtuar këtij shteti me fjalët “Amerikë të Duam”.

http://kallxo.com/haradinaj-ne-peje-amerike-ne-te-duam/

Edhe në tubimin e Malishevës më 17 dhjetor 2015 Haradinaj luti Amerikën për ndihmë.

http://kallxo.com/haradinaj-perseri-lut-ameriken-per-ndihme/