Shpërthim në Zubin Potok

Një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, ka shpërthyer në orët e hershme të mëngjesit në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Besim Hoti, për KALLXO.com tregoi se ngjarja ka ndodhur afër sallës së sportit në qytet dhe se përveç dëmeve materiale të lënduar nuk ka.

“Shpërthimi ka ndodhur afër sallës së sportit rreth orës 3:00. Përveç dëmtimit të një makine private, që dyshohet të jetë e rojës së sigurisë së sallës së sportit, nuk ka të lënduar”, tha Hoti për KALLXO.com.

Besim Hoti nuk mundi të konfirmonte lajmin se në atë sallë afër të cilës ndodhi shpërthimi kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, do të mbante një fjalim. Krejt çka konfirmoi ai për KALLXO.com është se Vuçiq e ka në agjendë vizitën në këtë qytet verior.

Zëvendësdrejtori Hoti tha se njësitet e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe tani është në dorën e hetuesisë së Policisë ta zbardhë këtë rast.

Po ashtu, Besim Hoti theksoi se vizita e kryeministrit të Serbisë në veri të Kosovës po vazhdon sipas agjendës.

Për sigurinë e kryeministrit serb është duke u përkujdesur Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë ka thënë dje për KALLXO.com se Vuçiq për këtë vizitë ka marrë leje prej Qeverisë së Kosovës.

http://kallxo.com/vuciq-neser-ne-mengjes-ne-kosove/