Shpenzimet e Kuvendit: Stafi i Veselit shpenzoi rreth 60 mijë euro, të gjithë deputetët 90 mijë

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa është bërë shqyrtimi i Raportit vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tre mujorin e katërt të vitit 2018.

Megjithatë raporti nuk arriti të kalojë në Komision pasi nuk pati vendimmarrje dhe i njëjti nuk mund të dërgohet në Kryesi të Kuvendit.

Sekretari i Kuvendi, Ismet Krasniqi, i cili mori pjesë në mbledhje të komisionit, tha se Kuvendi ka shpenzuar 8 milionë e 851 mijë euro në tre mujorin e katërt të vitit 2018.

“Në tre mujorin e katërt të vitit 2018, Kuvendi shpenzoi 8 milionë e 851 mijë euro.  6.8 milionë kanë shkuar në paga dhe mëditje dhe buxheti për pagat është shpenzuar qind për qind. 70 për qind e buxhetit janë shpenzuar për mallra dhe shërbime. Për pavarësi 100 mijë euro nuk janë shpenzuar, pasi nuk ka pasur kërkesa. 82 mijë euro janë kursyer nga buxheti për komisionet. Janë shpenzuar 128 mijë euro për subvencione”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku (LDK), tha se duke u bazuar në raport për vetëm tre muaj stafi politik i kryetarit të Kuvendit ka shpenzuar 60 mijë euro për udhëtimet jashtë vendit, ndërkaq deputetët në përgjithësi kanë shpenzuar rreth 90 mijë euro.

“Gjatë kësaj periudhe rreth 90 mijë euro janë shpenzime të 120 deputetëve edhe pse jo të gjithë kanë udhëtuar. Kurse stafi politik i kryetarit të Kuvendit kanë shpenzuar 60 mijë euro bashkë në udhëtime, mëditje, bileta dhe akomodim. 96 për qind janë udhëtime të stafit të kryetarit të Kuvendit. Në çdo udhëtim ka përcjellje të 3-4 këshilltarëve. Kjo është shpërputhje absurde. Po duken më shumë si ekskursione”, tha Abdixhiku.

Ndërsa, anëtari i Komisionit Dardan Molliqaj (PSD), tha se vizitat e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veslit bëhen edhe në cilësinë e kryetarit të PDK-së.

Nga mbledhja e Komisionit parlamentar për Financa Publike. Foto: Kallxo.com

“Duhet konstatuar kjo çështje sepse është shpenzim shumë i madh i kryetarit, por kjo vjen pasi është edhe kryetar i partisë dhe vizitat i ka bërë edhe në këtë cilësi. Duhet të adresohet kjo çështje nga ana e kryetarit ose si Komision. Nuk është për me lobu kryetari”, tha Molliqaj.

Kurse, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi pasi u pyet për këtë çështje tha se, udhëtimet bëhen më bazë të vendimeve të Kryesisë së Kuvendit.

Sipas Krasniqit, stafi mbështetës i kryetarit të Kuvendit të Kosovës përbëhet prej 17 personave.

Në anën tjetër, anëtari i Komisionit, Blerim Kuçi (AAK), theksoi se për të nuk janë shumë 60 mijë euro shpenzime nga stafi i Veselit.

“Për mua nuk janë shumë 60 mijë euro shumë për udhëtime të stafit të Kuvendit pasi është niveli dy i vendit. Duhet të krahasohet me dikë. Nëse thuhet vetëm për media në rregull, por këto duhet të krahasohen me organizata të tjera buxhetore”, u shpreh ai.

Nga mbledhja e Komisionit parlamentar për Financa Publike. Foto: Kallxo.com

Edhe nënkryetarja e këtij komisioni, Safete Hadërgjonaj (PDK) i arsyetoi vizitat e kreut të Kuvendit njëherë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

“Të gjitha vizitat e kryetarit të Kuvendit janë vizita publike dhe janë dalë në media, i kemi parë se ku kanë shkuat. E kuptoj zërin kritikues të opozitës”, tha ajo.

Anëtarët e Komisionit kërkuan nga Administrata e Kuvendit që të rregullohet rrjeti i internetit brenda ndërtesës së Kuvendit, pasi sipas tyre shpërndarja e rrjetit është shumë e dobët.