Arkiv

Shpendit i thahen lisat

Me moton “Jepi krah Prishtinës’, Shpend Ahmeti mori drejtimin e kryeqytetit edhe për katër vite por ‘krahët’ kanë ngecur kur pushteti i tij tentoi ta zhvillojë gjelbërimin.

Pemët e mbjella përgjatë lagjes ‘Kalabria’ nuk kanë pritur verën që të lulëzojnë pasi që ende pa hyrë në stinën e nxehtë ato janë tharë.

Mes pluhurit dhe zhurmës, banorët e kësaj lagje para kamerës së KALLXO.com ankohen edhe për mos gjelbërim.

Fuad Vehapi thotë së nuk ndjehet i kënaqur me punën e komunës në këtë aspekt.

“Çdo e dyta që e kanë shtinë dhe ka qenë e tharë dhe nuk është pranuar. Disa janë pranuar e mirë po shkojnë. Ama 30-40 për qind e tyre është e tharë, hiq nuk ka përparuar kurrgjë”, u shpreh ai.

Banori tjetër, Islam Duçi pohoi se shumica e të mbjellave së fundmi, tashmë janë tharë.

“Këto pemët apo drunjtë që janë mbjellë, gjysma vetëm janë tharë. Shkak është mos ujitja e moskujdesi ndaj tyre edhe asgjë në rregull nuk po shkon. Vetëm këtë mund ta them”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Bukurije Leti vlerësoi punën e Komunës, por pati kritika për qytetarët.

“Ai që e premtoi se do ta mbyllë këtë po e mbyllë. Erdh autobusi mirëpo gjelbërimi. Nëse doni me e ditë krejt nuk varet prej tij, varet prej tjerëve, të cilët nuk janë të interesuar sa i përket Shpendit ai është shumë i interesuar për qytetin e vet. Po ata që nuk janë qytetarë të Prishtinës, ata thjeshtë nuk janë të interesuar për qytet, jo për gjelbërim po gati për kurrgjë hiq”, u shpreh ajo.

Nga ato që KALLXO.com ka arritur të identifikojë, janë afër 70 drunj të cilët janë tharë përgjatë rrugës ‘Ali Vitia’.

Lidhur më këtë shqetësim të qytetarëve, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë shpjegime në pyetjet e dërguara nga KALLXO.com se pse janë tharë drunjtë e mbjellur nga paratë e taksapaguesve.