Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti - Foto: Facebook

Shpend Ahmeti 'Rrëshqiti' me Autobusët, u 'La' me Ujin

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti pati laramani në deklaratat e tij duke u zënë në rrenë, por edhe duke ‘u shpërla’ me disa prej premtimeve të tij që i dolën të sakta.

Sjellja e autobusëve të rinj në kryeqytet ishte kryetema e vitit të kaluar. Ajo u bë temë e diskutimit edhe në garën mbi Prishtinën.

Ahmeti që ishte shumë krenar me këtë projekt ishte ngutur për të dhënë data të sakta se kur këta autobusë do mbërrinin në Prishtinë.

Procedurat e kredisë u mbyllën në vjeshtë, ndërsa konvoji i parë i autobusëve erdhi në Prishtinë më 30 dhjetor. Kryetari i Komunës kishte paralajmëruar futjen e tyre në qarkullim për 11 janar.

Megjithatë, autobusët e parë  nuk kishin filluar qarkullimin nëpër rrugët e Prishtinës në atë kohë.

Në anën tjetër, Ahmeti u tregua shumë i saktë sa i përket fillimit të punës së Fabrikës së Ujit në Prishtinë, projekt për të cilin Ahmeti është po ashtu shumë krenar.

Që nga fillimi i vitit të kaluar KRYPOMETRI, një verifikues faktesh i certifikuar e i njohur ndërkombëtarisht, ka detektuar gënjeshtrat e bëra nga zyrtarët publikë.

Krypometri është verifikuesi i parë dhe i vetmi i fakteve në Kosovë, i cili u bë pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar për Vërtetimin e Fakteve (IFCN).

Krypometri ka vazhduar matjen e deklaratave të zyrtarëve publikë edhe këtë vit dhe rrenat apo të vërtetat e tyre mund t’i gjeni këtu.