Shpend Ahmeti Premton Objekt të Ri për Shkollën e Muzikës

Pas zhvendosjes së nxënësve të Shkollës së Mesme e Muzikës “Prenk Jakova” nga objekti i Shkollës së Mesme Ekonomike në atë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, këta nxënës u vizituan sot nga kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe drejtoresha për Arsim e kësaj komune Arbërie Nagavci.

Kryetari Ahmeti tregoi shumën e investimeve komunale për ta mundësuar zhvendosjen e nxënësve të “Prenk Jakovës” në një objekt që nuk përdorej nga nxënësit e shkollës së mjekësisë.

“Kemi vendosur që aneksin e shkollës së mjekësisë e cila nuk po përdoret më ta rinovojmë në mënyrë që nxënësit të punojnë në kushte më të mira dhe gjithsej ky investim ka kushtuar 40 mijë euro,” tha Ahmeti.

Ai bëri të ditur se vendosja e nxënësve të shkollës së muzikës në aneksin e shkollës së mjekësisë  është një zgjidhje e përkohshme.

“Kjo është një zgjidhje e përkohshme të cilën ia kemi mundësuar këtë vit kësaj shkolle për shkak të kushteve të vështira që kanë qenë në lokacionin e kaluar,” tha i pari i Prishtinës.

Gjithashtu këtë vit sipas Ahmetit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të fillojë ndërtimi i një objekti të ri për shkollën e muzikës që do të ketë ngjashmëri me Fakultetin e Arteve.

Drejtoresha e shkollës së muzikës Violeta Krasniqi tha se shkolla duhet të ketë një vend më meritor.

“Jemi të kënaqur me këto kushte edhe pse synojmë që shkolla jonë duhet ta ketë vendin që e meriton,” tha Krasniqi.

Drejtoresha gjithashtu tha se shkolla ka bashkëpunim me një familje muzikantësh nga Zvicra.

“Përveç komunës që ka bërë një investim të madh për kalimin tonë në shkollën e mjekësisë, ne kemi një bashkëpunim me një familje nga Zvicra e cila është një muzikante së bashku me djalin e saj mbledhin instrumente dhe materiale për të na ndihmuar neve,” tha Krasniqi.

Personeli arsimor dhe nxënësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Muzikës dhe Baletit “Prenk Jakova” qenë zhvendosur në objektin e Shkollës së Mesme Ekonomike të Prishtinës që nga marsi i vitit 2013, kur Komuna e Prishtinës atëherë nën udhëheqjen e kryeministrit të tashëm Mustafa kishte nisur ndërtimin e objektit të ri për këtë shkollë.

Pastaj kur pushteti komunal në Prishtinë u ndërrua pas zgjedhjeve lokale të nëntorit 2013, lokacioni i përcaktuar për ndërtimin e objektit të kësaj shkolle u konsiderua i papërshtatshëm dhe deri në gjetjen e lokacionit të ri, paratë e ndara për vazhdimin e punimeve u orientuan në projekte tjera.

Për shkak të kushteve të vështira të punës në shkollën ekonomike, nxënësit e shkollës së muzikës bojkotuan mësimin më 1 shtator të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/bojkotohet-mesimi-ne-shkollen-e-muzikes-prenk-jakova/