Foto: Kallxo.com

Shpend Ahmeti Përuron Një Qendër të Renovuar të Mjekësisë Familjare

Pacientët që nga sot mund të marrin shërbime mjekësore në qendrën e rinovuar të mjekësisë familjare numër 3 në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në përurimin kësaj qendre tha se qendra tash ka qasje për persona me aftësi të kufizuara.

“Për herë të parë kemi edhe qasje për persona me aftësi të kufizuara”, tha ai.

Ahmeti shtoi se renovimi i QKMF-së në këtë mënyrë është dëshmi se shëndetësia publike mund të funksionojë mirë dhe me çmime të ulëta.

“E dimë janë pagesa shumë të vogla — pothuajse falas për shërbime të shumta”, tha ai.

Gjithashtu ai deklaroi se “ka mbetur shumë pak” për përfundimin e renovimeve të QMF-ve në të gjithë kryeqytetin.

Ngjashëm u shpreh edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitija. Ai tha se ka përmirësim sidomos të kushteve për personat me aftësi të kufizuara dhe për të moshuarit.

“Gjithmonë ka pasur mirëkuptim të stafit (nga ana e pacientëve), por çdoherë ka pasur kritika nga personat me aftësi të kufizuara dhe personat e moshuar — që nuk kanë mundur t’i marrin të gjitha shërbimet për arsye se të gjitha ato janë dhënë në katin e dytë”, u shpreh ai.

Ai tha se të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara u ofrohen të gjitha kushtet e nevojshme mjekësore në katin e parë të QMF-së.

Drejtoresha e qendrës, Dr. Shyqyrije Rugova, tha se renovimi i kontribuon përmirësimit të shërbimeve në këtë qendër.

“Na kanë ofruar punë më të mirë për shërbimin e qytetarëve”, tha Rugova.

Ajo uroi që iniciativat e renovimit të shtrihen sa më shumë në qendrat e tjera.