Shpend Ahmeti merret me Bërnabiqin, qytetarët ankohen se jetojnë në xhungël

“Keni punë me njerëz të cilët faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse atje ka luftë ose jo, dhe kjo më shqetëson”, kështu iu referua politikanëve në Kosovë javën e kaluar kryeministria serbe, Ana Bërnabiq.

E kjo deklaratë e shefes së Qeverisë në Serbi ngjalli shumë reagime në Kosovë, nga njerëz publik e jo publik. Kosovarët patën përgjigje kreative ndaj kryeministres serbe në rrjete sociale.

Në fakt, nuk mbahet mend ndonjëherë të ketë mbizotëruar më shumë ngjyra e gjelbër e maleve në prapavijat e fotografive të postuara në rrjetet sociale nga kosovarët sesa ditëve të fundit.

Ndaj deklarimeve të Bërnabiq reagoi edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Por, komentuesit nuk është se u pajtuan fortë me atë që ai tha.

Prishtinasit e gozhduan atë rreth punëve të ‘pakryera’ në kryeqytet nga kryetari që vjen nga PSD.

Blerim Seferi ishte ndër komentuesit e parë që i komentoi Ahmetit në “Facebook”.

“Jo të malit po të xhunglës o Shpend A. Ahmeti”, shkroi ai ku edhe ia bashkëngjiti komentit një video ku shihet një person teksa drejton një karrocë fëmijës rrugëve të Prishtinës. Në fakt, pamjet nga video flasin se nuk ka hapësira për vozitje të karrocës së fëmijëve, ose në mungesë të trotuareve ose ato mund të jenë të zëna nga veturat.

Një komentues tjetër, Kushtrim Berisha pati një sugjerim për kryetarin e kryeqytetit.

“Ooo njeri i saefasë e i zyrave tybe nuk t’i lexova të gjitha këto shkronja, po çu puno najsen”, shkroi ai në statusin e Ahmetit.

Një qytetar tjetër ia postoi një fotografi në koment ku shihet një gropë në mes të Prishtinës, prapa Kinos ABC.

“Qeso skenash vetëm në mal sheh!”, komentoi Visar Kluna.

Por, kishte edhe komentues që e vlerësonin punën dhe vetë kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti.

“Njeri i rrallë me mendje të pastërt Shpend Ahmeti, respekt”, shkroi Gazmend Jupolli.

E një qytetar tjetër nga lagjja e “Muhaxherëve” i tha kryetarit Shpend Ahmeti që të vizitoj lagjen e tij, edhe pse nuk kishte marrë ndonjë përgjigje nga Ahmeti.

“Besom kryetar që nuk keni vakt me u marrë me deklarata të asaj …, dil bre pak te lagjia e Muhaxherëve kcyri rrugët, gjithashtu edhe rrugës për te Gjyakta menxi ia nise tash po vonohet…”, i shkroi Arianit Zhjeqi.

Kosovarët i përgjigjen me kreativitet kryeministres serbe (Foto)

Postimi i plotw i Shpend Ahmetit nw “Facebook”:

Mirëmëngjes o njerëz të malit, mos rrini shumë nëpër fusha

Ngjarjet e javës së fundit kanë ngritur një diskutim dhe reagim interesant në shoqërinë tonë. Gjatë prezantimit të Raportit të Progresit në Serbi, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, deklaroi se me shqiptarët është vështirë për tu biseduar. Duke ju referuar lidershipit aktual në Kosovë, ajo tha që me këta njerëz është vështirë të bisedosh, duke shtuar se “tekstualisht sapo kanë dal nga mali”. Një referencë që mund të shpjegohet në shumë mënyra, mund ti referohet kryengritjes dhe luftës gerile në “mal” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të kuptohet si reference për prejardhjen nga fshatrat “mali” të udheheqësine sonë apo mund ti referohet mungesës së përvojës së shtetit tonë. Pra një shtet i krijuar nga mali.

Por emëruesi i përbashkët i çfarëdo reference që dikush mund ti jap është vetëm një: kjo deklaratë është RACISTE. Problemi edhe më i madh është se kjo nuk është një lëshim i vogël, një gabim i lehtë i Brnabiqit. Kjo është shpërfaqje e qasjes që Serbia, apo një pjesë e madhe e shoqërisë serbe e ka karshi jo vetëm udhëheqësisë së Kosovës, por krejt shqiptarëve në përgjithësi. Në fakt Brnabiqi është problemi më i vogël në këtë drejtim.

Një pjesëtare e LGBT, grup i margjinalizuar e i sulmuar gjithandej nëpër shoqëritë në Ballkan e më gjërë, është anëtare e një partie te djathtë radikale, lideri i së ciles ka marr pjesë në protesta e rrahje kundër komunitetit LGBT. Në këtë rast, është për keqardhje që Brnabiq ka komplekse të inferioritetit dhe nevojë për tu treguar e denjë për partinë e Vuqiqit. Prandaj edhe bën gabime të tilla, sepse dëshiron të tregohet sa më antishqiptare që mundet. Por, ajo që duhet të adresohet është racizmi prezent në cepe të ndryshme të shoqërise e edhe të atyre të cilet vetën e quajne progresiv në Serbi.

Përgjigja e parë është në pyetjen se si mund të bëhet fjalë për racizëm kur bëhet fjale për racen e njejtë. Racizmi në kuptimin e vetë ka marr një definicion shumë më të gjërë dhe i referohet ndjenjes së superioritetit që dikush mund të ndjejë edhe në baza etnike apo kulturore. Pra, neoracizmi apo racizmi kulturor është prezent në gjitha shoqëritë, por në rastin tonë kemi të bëjmë me shprehje të hapur të racizmit kuturor që mbizotëron në Serbi në drejtim të shqiptarëve.

Reagimi në Kosovë ishte interesant. Një përbashkim rreth kësaj fjale u përcjell me reagimin e zakonshëm të qeveritarëve “të indinjuar”, e “të prekur thellë” duke kërkuar reagimin e “ndërkombëtarëve” për këtë “skandal” të qeverisë serbe. E pritshme, e zakonshme dhe pa efekt. Nuk ndërron mendje as Evropa e as Serbia për shkak të këtij reagimi. Ndoshta mund ta kemi një kërkim falje por ajo nuk e zbut racizmin.

Por ajo që ishte edhe më interesante edhe më simpatike edhe më e efektshme ishte reagimi në rrjete sociale me Tëittat e Statusat e “Njerëzve sapo të dalë nga Mali”. Ky reagim totalisht pa komplekse dhe jo-inferior është përgjigja më e mirë që një shoqëri mund të ja jap një racizmi ksenfob serb në Kosovë. Në këtë reagim u bashkangjit edhe ambasadori gjerman në Kosovë i cili kishte postuar dicka me Njerëzit nga Mali.

Serbet progresiv në rrjete sociale u mahnitën me përgjigjen nga Kosova, e cila nuk reagoi me të shame të njejta, dhe nuk reagoi me racizmin klasik dhe inatin hakmarrës dhe momental. Në fakt tregoi se përgjigja mund të jetë edhe më intelektuale, edhe më mikpritëse edhe më arsimuese jo vetëm për serbet por edhe për shqiptarët.

Sot shqiptarët kanë korr suksese gjithandej nëpër botë. Kosova ka edhe qytete edhe fshatra edhe rrafshe edhe male. Ka njerëz të suksesshëm në të gjitha sferat dhe nga të gjitha prejardhjet. Nuk duhet të jetë kompleks të qenurit as nga mali e as nga fusha. Nuk duhet të jetë kompleks as të qenurit nga fshati e as nga qyteti. Nuk duhet të jetë kompleks të qenurit i pasur apo i varfër. Nuk duhet të jetë kompleks të qenurit shqiptar apo serb, rom apo boshnjak, turk apo ashkali.

Duhet ta kuptojmë që të gjithë jemi njerëz. Dhe si të tillë jemi të barabartë. Të qenurit i një race, klase ekonomike, etnie, feje, gjinie e cfarëdo përkatësie nuk duhet të jetë as përparësi e as dobësi. Kur një deklaratë e Brnabiqit na e kujton këtë dhe na bën të luftojmë për këtë barazi atëherë jam shumë i lumtur. Kur inatit e racizmit i kthehemi me zemërgjërësi e vlera, atëherë fitojmë. Prandaj ky reagim i joni nuk do të ketë efekt në Bruksel e kryeqendra tjera. Por neve si shoqëri na jep shpresë që ne po ndërtojmë dicka ndryshe.

E prej kësaj mund të mësojmë shumë edhe në Kosovë. Racizmi kulturor është prezent në shoqërinë tonë. Shumë shpesh në qytete kemi përdor referencën e njejtë për të sharë qeverinë. Nuk reagojmë në shoqëri në shtëpi kur dikush thotë “magjup” apo “shka”. Në këngët tona flasim për superioritetin tonë si komb. Te ne ka sulme të përditshme në ata që duken, flasin apo janë të tjerë nga ne.

Prandaj kemi edhe shumë punë për të bërë, por gjeneratat e reja nuk guxojnë të shkojnë në humnerën e njejtë të parajgykimeve, ksenofobisë e stereotipeve të zakonhsme ballkanike.

Në vend se qeverinë tonë ta sulmojmë për prejardhjen e tyre, më mirë është të flasim e sulmojmë hajninë e tyre. Korrupcioni nuk ka etni, gjini e fe. Ësthë korrupcion. Huliganizmi nuk ka përkatësi e prejardhje nga mali apo fusha. Është huliganizëm. Racizmi nuk është gabim sintaksor e lëshim gjuhe. Është racizëm.

Këtë reagimin e shkëlqyeshëm ndaj racizmit të Brnabiqit ta përdorim edhe si reagim në shoqërinë tonë ndaj racizmit që kemi brenda nesh.