Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti - Foto: KALLXO.com

Shpend Ahmeti: Dialogu do të përfundoj me njohjen nga Serbia

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator në bisedimet me Serbinë, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se sot kanë dorëzuar Platformën me 11 parime.

“Sot edhe zyrtarisht dorëzuam Draft-Platformën e Delegacionit Shtetëror për Dialogun me Serbinë. Kjo platformë i ka 11 parime, dhe liston qëllimet dhe pritjet tona nga procesi i dialogut. Qëllimi kryesor dhe i panegociueshëm është njohja e ndërsjellë. Pra, përfundimi i këtij dialogu duhet të jetë njohja nga Serbia”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ahmeti ka preferuar që t`i bëjë publike tri nga pikat e platformës duke thënë se në qoftë se Kuvendi e voton këtë platformë, atëherë ky do të jetë qëndrimi i vetëm zyrtar i Republikës së Kosovës.

“Parimi 6: Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj” (Neni 2(2)). Parimi 7: Në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë një nivel tjetër të qeverisjes përveç nivelit lokal dhe qendror. Parimi 8: Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj, të drejtat mbi burimet natyrore dhe asetet të cilat janë në territorin sovran të Republikës së Kosovës, janë ekskluzivisht të Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht nuk janë të hapura për negociim”, ka shkruar Ahmeti.