Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Shpallet Fajtor Doktori Sadik Rashiti

Doktori gjilanas, Sadik Rashiti, është shpallur fajtor për dy pika të aktakuzës dhe është dënuar me 5,000 euro gjobë. Ai akuzohej për veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Arben Hoti, kryetari i trupit gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, gjatë shpalljes së aktgjykimit tha se i pandehuri është gjetur fajtor për dy pika të aktakuzës – për pikat 2 dhe 3.

Hoti tha se trupi gjykues ka refuzuar pikën 1 të aktakuzës pasi që ajo është parashkruar. Ndërsa për pikën 4, gjykatësi tha se i pandehuri është liruar pasi që nuk janë gjetur prova të mjaftueshme.

Pala e pakënaqur ndaj këtij aktgjykimi ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Aktakuza ndaj Sadik Rashitit ishte ngritur në vitin 2014 nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Aktakuza Rashitin e ngarkon me veprën penale ushtrimi i ndikimit. Aty thuhet se i pandehuri gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2010, i punësuar si mjek në Spitalin Regjional të Gjilanit, e ka shfrytëzuar atë pozitë dhe ka pasur ndikim te personat zyrtarë për regjistrimin e Skofiare Pirajt në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2010/11.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në mënyrë që ta realizojë regjistrimin e Skofiares nga babai i saj, i dëmtuari Afrim Pira nga Vitia, kishte kërkuar 6,000 euro, të cilat edhe i kishte marrë.

Prokuroria thotë se mjeku Sadik Rashiti edhe pas një viti, pra në vitin 2011, gjatë muajve gusht-shtator, ka përsëritur veprën penale ushtrimi i ndikimit.

Duke shfrytëzuar pozitën e tij ka ushtruar ndikim te personat zyrtarë për regjistrimin e Riad Rexhepit nga Vitia në Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. Sipas aktakuzës, Rashiti ka kërkuar dhe pranuar nga Rexhepi 5,000 euro.

Përpos akuzave për regjistrim në fakultet, Rashiti akuzohet se ka ushtruar ndikim edhe te profesorët e lëndëve Kimi Organike dhe Kimi Inorganike  për dhënien e këtyre provimeve nga disa studentë.

Të dëmtuarit kanë pranuar t’i japin para në mënyrë që t’i kalojnë ato lëndë për ta fituar kushtin për vitin e dytë.

Sipas aktakuzës, Rashiti në nëntor të vitit 2011 ka kërkuar 2,000 euro nga L. A. nga Gjilani por më vonë ata ishin marrë vesh që këtë ta kryejnë për 1,800 euro.

Në të njëjtën periudhë, Sadik Rashiti akuzohet se ka kërkuar 2,500 euro nga studentja Skofiare Pira për të cilat thuhet se i ka marrë nga L. A.

Të gjitha këto pretendime të prokurorisë janë kundërshtuar nga i akuzuari Sadik Rashiti.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht nga ky proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni këtu.