Gjykimi pCr kontraktim të përfitimit joproporcional - Foto: KALLXO.com

Shpallet aktgjykimi në rastin e të akuzuarve për kontraktim të përfitimit joproporcional

Gjykata e Gjakovës ka shpallur aktgjykimin në rastin e katër të akuzuarve për kontraktim të përfitimit joproporcional.

Për këtë vepër penale akuzohen Xhafer Abrashi, Kreshnik Abrashi, Shyqeri Abrashi dhe Genc Xharavina.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës, nga akuza janë liruar Xhafer dhe Shyqyri Abrashi.

Ndërsa, dy të akuzuarit Kreshnik Abrashi u shpall fajtor dhe u dënua me burgim efektiv prej 10 muajsh, kurse Genc Xharavina me burgim prej 1 viti.

Të akuzuarit e shpallur fajtorë u ngarkuan edhe me shpenzimet procedurale.

Të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që u ngarkohen nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Në seancën e kaluar të akuzuarit e dhanë mbrojtjen e tyre duke i kundërshtuar deklarimet e këtu të dëmtuarit Sami Duraku, përveç të akuzuarit Genc Xharavina, i cili u mbrojt në heshtje.

Prokurori Ramiz Buzhala në fjalën e tij përfundimtare theksoi se nga deklarata e të dëmtuarit dhe nga provat është vërtetuar gjendja faktike dhe se mbetet pranë pretendimeve të aktakuzës.

“Kërkoj nga Gjykata që ta bëjë vlerësimin e drejtë të këtij rasti dhe nuk kërkoj kompensim dëmi për 8.000 eurot që më janë marrë, por vetëm kërkoj të jem i qetë me familjen time si dhe theksoj se çdo dëm që do të më bëhet pas këtij rasti, do të më bëhet nga të akuzuarit”, kishte thënë i dëmtuari Sami Duraku.

Mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se aktakuza është e paqëndrueshme, nuk mbështetet në asnjë provë valide, duke theksuar se aktakuza është joprofesionale dhe tendencioze.

Sipas aktakuzës pretendohet se të akuzuarit gjatë periudhës 2012-2013, duke vepruar së bashku, kanë dhënë para duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe duke e dëmtuar materialisht të dëmtuarin Sami Duraku, në atë mënyrë  që i dëmtuari merr një shumë të parave prej 4.000 euro nga të akuzuarit dhe të njëjtën ta kthejë si hua, mirëpo të akuzuarit kanë kërkuar shumën prej 9.000 euro, me çka dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale si kontraktim i përfitimit jopropocional.