Shpallen projektet fituese nga programi ‘Kultura për ndryshime’

Dhjetëra projekte kulturore të OJQ-ve dhe individëve në Kosovë kanë marrë mbështetjen nga fondet e programit “Kultura për ndryshime”, për realizimin e projekteve të tyre kulturore për këtë vit.

Lista e përfituesve nga ky program tashmë është bërë publike në uebfaqen zyrtare të Qendrës Multimedia në Prishtinë, përmes së cilës bëhet e ditur se këtë vit nga ky program janë dhënë 230 mijë euro për 46 projekte kulturore.

Përmes një njoftimi publik, Multimedia sqaron se thirrjes për projekt-propozime nga programi “Kultura për Ndryshim” për vitin 2019 i janë përgjigjur 254 organizata, institucione, grupe jo-formale e artistë individualë.

“Për shkak të numrit të madh të aplikacioneve të pranuara dhe shumës së limituar për grante (230,000 euo) të gjitha organizatat që janë shpërblyer me grante kanë marrë shumë më të vogla se sa ato që kanë kërkuar në aplikacionin e tyre”, thuhet në njoftim e Qendrës Multimedia.

“Kultura për ndryshim”, është projekt tre vjeçar i financuar nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i implementuar nga Qendra Multimedia me Institutin “Goethe”.

Projekti synon të përkrahë organizatat kulturore dhe bibliotekat publike nëpër Kosovë, duke ofruar ndihmë të drejtpërdrejt financiare në aktivitete kulturore dhe arsimore.

Një nga pikat strategjike të projektit përfshinë organizimin e aktiviteteve në pjesët më rurale të vendit, dhe në të njëjtën kohë, projekti ka për qëllim të mundësojë përfshirjen në aktivitetet kulturore të komuniteteve lokale nga të gjitha grupet etnike.