‘ShOTA’ me premierë në Ditën Ndërkombëtarë të Fëmijëve

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve, ‘ShOTA” mban nesër, më 1 qershor 2019, koncertin premierë, i cili u dedikohet fëmijëve në ditën ndërkombëtare të tyre.

Koncerti do të mbahet në ora 12:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës me koreografi të Gjergj Prevazit dhe Robert Nuhës.

Lajmi është bërë i ditur nga Ansambli “Shota”, përmes një njoftimi për media.

Sipas këtij njoftimi, titulli i koncertit (dhe i koreografisë së re), të punuar nga Gjergj Prevazi, me asistentin e tij, Robert Nuha, “Brezave Amanet”, ka simbolikën e bartjes së trashëgimisë sonë shpirtërore nga brezi në brez.

“Pra në këtë koncept janë përfshirë katër breza përformuesish: Nga plaku, të te rriturit, pastaj të te rinjtë dhe në fund të fëmijët e vegjël. Po në këtë frymë janë realizuar edhe këngët, ku ju do të shihni disa këngëtarë- fëmijë, shumë të talentuar”, thuhet në njoftimin e AKKV “SHOTA”, për koncertin e nesërm.