Foto: Ilustrim

Shoqërohen në Polici 5 Aktivistë të Vetëvendosjes

Policia e Kosovës njofton se pesë aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët ishin shoqëruar në stacionin policor të Podujevës, janë liruar.

Pak kohë më herët VV-kishte njoftuar për arrestimin e pesë aktivistëve: Nurije Demaliaj, Nol Nushi, Blerim Maqestena, Abër Sfishta dhe Kreshnik Gega, “për shkak se kishin bërë grafite që kërkojnë drejtësi për aktivistin Astrit Dehari, që vdiq në burg më 5 nëntor 2016, derisa po mbahej aty si i pafajshëm e me akuza të montuara politikisht”.

Ndërsa Zyra për Informim e Policisë ka thënë për KALLXO.com se personat janë shoqëruar në stacionin policor dhe tani janë të lirë.

“Zyra për Informim njofton se personat vetëm janë shoqëruar në stacionin policor dhe pastaj janë liruar. Nuk është askush i arrestuar. Ky është thjesht shoqërim në stacionin policor”, ka thënë Zyra për Informim e PK-së.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje këtë shoqërim në polici të aktivistëve të saj e ka quajtur “skandal të radhës të pushtetit”.