Nga një marsh protestues për Deharin | Foto: KALLXO.com

Shoqëria Civile Vazhdon Protestat për Astrit Deharin

24 nëntori do të jetë vazhdimi i protestës për të kërkuar drejtësi në lidhje me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com organizatorja e protestës për Asrit Deharin, Jeta Berisha.

Përveç protestës sipas organizatores Berisha është finalizuar letra me kërkesën e shoqërisë civile për hetim të pavarur ndërkombëtar, e cila do të niset sot për në Amnesty International, Human Right Watch dhe në Këshillin e Evropës.

“Së bashku me përkrahësit e protestës kemi finalizuar letrën me kërkesën tonë për hetim të pavarur ndërkombëtar të cilën do ta nisim sot. Gjithashtu gjatë këtyre ditëve do të fillojmë edhe peticionin në secilën komunë të Kosovës,” tha Berisha.

Në anën tjetër, nesër do të mbahet marsh protestues në qytetin e Mitrovicës për të kërkuar drejtësi për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari.

Marshi fillon në orën 12:00 nga Sheshi afër xhamisë “Isa Beg” në Mitrovicë.

Marshi protestues është organizuar nga Studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe ata të UP-së (Dega Mitrovicë), Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, Shoqata “Minatori 88-89” dhe organizata të tjera joqeveritare.

Sipas, Shkëndije Halimit nga shoqëria civile, që foli për KALLXO.com, pjesëmarrës do të jenë edhe partitë politike në Mitrovicë.

“Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-dega Mitrovicë, Aleanca Kosova e Re-dega Mitrovicë, Nisma për Kosovën-dega Mitrovicë, Partia e Drejtësisë-dega Mitrovicë,” tha Halimi.

Një marsh protestues për ndriçimin e vdekjes së Deharit u zhvillua në Prishtinë më 14 nëntor.

http://kallxo.com/qytetaret-kerkojne-drejtesi-per-astritin-marsh-ne-prishtine/

Më 12 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren aktivistë të “Vetëvendosjes” gjatë një proteste shkruajtën fjalët “Drejtësi për Astritin” në muret e kësaj qendreje.

http://kallxo.com/drejtesi-per-astritin-ne-muret-e-qendres-se-paraburgimit/

Astrit Dehari ishte aktivist i “Vetëvendosjes” i cili vdiq më 5 nëntor të këtij muaji në rrethana të pasqaruara.