Shoqëria Civile Sheh Konfuzion te Deputetët për Projektin e ‘Envidity’

Tryeza e organizuar nga KOSID dhe INDEP me temën “Interesi publik mbi eksplorimin e linjitit në Kosovë” paraqiti analizën  e raportit të Komitetit për Partneritet Publiko-Privat lidhur me projektin Envidity dhe SharCem.

Javë më parë, gazeta “Jeta në Kosovë” ka publikuar hulumtimin për kërkesën që kompania kanadeze ‘Envidity’ ka bërë për hulumtimin e qymyrit në një të tretën e sipërfaqes së Kosovës.

Projekti ka kaluar të gjitha procedurat në Kuvend gjatë diskyutimeve parlamentare ndërsa në seancën e të enjtes ai pritet të hidhet në debat dhe votim.

Visar Azemi nga KOSID theksoi se përmes projektit të kompanisë Envidity ku ish gjenerali Welsey Clark është kryetar i bordit, fare nuk janë pyetur banorët e zonave ku do të bëhet hulumtimi si dhe nuk dihet për teknologjinë e cila do të përdoret për shpimim e tokave çfarë pasoja mund t’u sjellë ujërave.

“Problemi është se asnjë konsultim me banorët e atyre zonave nuk është duke ndodhur për të parë se cili do të jetë impakti i atyre familjeve, problem tjetër është edhe teknologjia në fjalë sepse teknologjia është e re dhe nuk dihen pasojat e saj, çka mund ti bëjë shpimi i tokave, ujërave tona”, tha Azemi.

Ilir Rama nga Departamenti Qëndror i Partneritetit Publiko Privat theksoi se Kosova ka nevojë për investime të huaja direkte, zhvillim ekonomik, punësime të cilat mund t’i ofronte projekti, e teknologjia nuk duhet të krahasohet me atë të para 40 viteve

“Jemi një vend i vogël, kemi nevojë për investime të huaja direkte në Kosovë, zhvillim ekonomik, punësim dhe besoj se në këtë  rast për shkak të papunësisë së madhe duhet t’i japim pak përparësi projekteve të cilat janë me intensitet më të lartë të kapitalit human që në këtë rast është ky projekt me vlerë kapitale prej 30 milion euro. Nuk e di pse po e bëni kaq tragjike teknologjinë, nuk mund ta krahasoni teknologjinë e sotme me atë të para 40 viteve”, tha Rama

Dardan Abazi nga INDEP gjatë prezantimit të analizës së raportit të Komitetit për PPP theksoi se vetë deputetët e Kuvendit janë konfuzë lidhur me projektin e Envidity

“Në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik unë asnjëherë nuk kam parë më shumë konfuzitet te deputetët të cilët njihen që janë si më të përgatiturit nga Kuvendi i Kosovës. Vërehej një pasiguri në lidhje me këto vendime, thuhej se a do të jetë licencë hulumtimi apo miratim i tërë projekteve, a do të ketë shpallje të interesit publik, apo janë projekte tërësisht të mjegullta, cila do të jetë distanca në të cilat do të kryhet hulumtimi apo është përnjëmend një e treta e territorit që po kërkohet, për të gjitha këto pyetje unë jam dëshmitarë se kanë qenë vet pyetje të deputetëve edhe pse ata para vetes kishin një dokumentacion që e kishte dërguar Qeveria e Kosovës lidhur me projektin Envidity”, tha Abazi.

Përmes analizës së prezantuar KOSID dhe INDEP rekomandojnë që projekti Envidity të mos votohet sepse ka kosto të lartë sociale dhe mjedisore, të propozohen në Kuvend projekte që nuk e dëmtojnë ambientin duke sjellë Strategji të re të Energjisë dhe Ligjin për Efiçiencën e Energjisë, si dhe para se të propozojnë projektin e tillë me pretekst për zhvillim ekonomik, të sjellin në Kuvend ligjin e shumëpritur për Trepçën, dhe të bëjnë përpjekje që të hapet perspektiva e zhvillimit në minerale tjera dhe jo insistimi në linjit.

Kjo çështje është debatuar të enjten e kaluar edhe në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Jeta në Kosovë: Thëngjilli-Zhvatje a Zhvillim?