Shoqëria Civile Reagon për Përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit

Një koalicion i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë kërkoi sot nga qeveria e Kosovës që ta tërheqë vendimin e disa muajve më parë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Akreditimit, vendim i cili çoi në përjashtimin e kësaj agjencie nga një organizatë ndërkombëtare e cilësisë këtë javë.

Në një reagim, Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) tha se e ka pranuar me shqetësim lajmin për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Sipas këtij koalicioni, shkarkimi arbitrar i të gjithë anëtarëve të Bordit të AKA nga Qeveria e Kosovës, përfshirë edhe ndërkombëtarët, ka shkaktuar dilema të arsyeshme për kapacitetin e Agjencisë për të vepruar jashtë ndikimit të politikës ditore, si në vend ashtu edhe tek organizatat ndërkombëtare.

“Në fakt, ne mendojmë se dilema të tilla ka pasur edhe më herët, pasi, gjatë historisë së saj 10-vjeçare, AKA, jo një herë, është vënë në shërbim të interesave politike dhe atyre biznesore. Megjithatë, në vitet e fundit, AKA ka treguar një përkushtim në rritje, ndonëse jo i kënaqshëm, për t’i adresuar problemet e cilësisë në arsimin e lartë, që ka rezultuar me zvogëlimin e numrit të programeve të akredituara. Në kushte të tilla, shkarkimi i gjithë strukturës udhëheqëse të Agjencisë nuk ka mundur të kuptohet ndryshe, përveç si ndërhyrje politike ndaj një institucioni që duhet të jetë i pavarur”, thuhet në reagim.

“Ne e kemi analizuar me vëmendje vendimin e EQAR për përjashtimin e AKA dhe jemi të indinjuar me faktin se argumentet për shkarkim që i janë ofruar këtij mekanizmi prestigjioz evropian nga ana e institucioneve të Kosovës janë “informatat e natyrës konfidenciale” që, gjoja, qenkan në posedim të kryeministrit dhe  “parregullsitë” për të cilat nuk është dhënë asnjë shpjegim më shumë. Po ashtu, shprehim keqardhje për faktin se përzgjedhja e anëtareve të rinj të Bordit të AKA nuk është bërë përmes një procesi transparent dhe të besueshëm që do të argumentonte pretendimet e Qeverisë se synon depolitizimin e AKA”, tha KITU.

Sipas këtij koalicioni, me përjashtimin e AKA nga EQAR, Kosovës i është shkaktuar dëm i madh që shkon përtej imazhit dhe funksionimit normal të AKA.

“Diplomat e lëshuara nga institucionet e akredituara nga një Agjenci, e cila, është shpallur jokredibile nga një mekanizëm prestigjioz evropian, do të kenë trajtim të veçantë në vendet evropiane dhe pasojat do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës që duan t’i vazhdojnë studimet ose të punësohen në ato vende”, thuhet në komunikatë.

Për këtë arsye, këto organizata kërkuan nga institucionet e Kosovës, në radhë të parë nga Kuvendi, Qeveria dhe MASHT që të jenë në nivel të detyrës me rastin e përcaktimit të përgjegjësisë për veprimet që kanë rezultuar me përjashtimin e AKA nga EQAR.

Po ashtu, ato kërkuan që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që janë në dispozicion për të rikthyer besimin e humbur të EQAR ndaj sistemit të arsimit të lartë në Kosovë.

KITU e ka ftuar qeverinë që ta japë arsyetim të plotë për shkarkimin e anëtarëve të bordit të AKA; t’i tërheqë emrat e propozuar për bordin e ri dhe ta nisë një proces transparent të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj; dhe të fillojë iniciativën për ndryshimet e nevojshme ligjore që pamundësojnë veprime të tilla të pamatura në të ardhmen.

KITU përbëhet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Sbunker, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Demokracia për Zhvillim (D4D), Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), OJQ Admovere, Qendra Encompass, Instituti EdGuard, Organizata Çohu dhe Qendra për Kurajo Politike (CPC).