FOTO ARKIV - ILUSTRIM

Shoqëria Civile Nuk e Ka Besimin e Qytetarëve

Ende ekziston një numër i madh i qytetarëve të cilët nuk kanë besim në punën e organizatave të shoqërisë civile, u tha sot në publikimin e analizës së Pulsit Publik me temën “Perceptimet e Shoqërisë Civile në Kosovë” nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Alessandra Roccasalvo zëvendës-përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë tha se puna e organizatës së saj zakonisht ka qenë e fokusuar në punën me institucionet qeveritare dhe asnjëherë nuk kanë hyrë thellësisht të shikojnë punën e shoqërisë civile.

“Kam lexuar në shtyp se shoqëria civile është më e besuar e kështu me radhë, mirëpo një numër i madh i njerëzve nuk i besojnë punës së organizatave të shoqërisë civile dhe mua më intereson arsyeja pse ata nuk i besojnë”, tha ajo.

Roccasalvo shtoi se 50% e të anketuarve kanë thënë që korrupsioni është i pranishëm edhe në shoqërinë civile.

“A nënkupton kjo që shoqëria civile po paguhet të lansojë çështje të caktuara?”, pyeti ajo.

Ndërkaq, analistja Edona Krasniqi, e cila është edhe përpiluese e kësaj analize, tha se nga të gjeturat, qytetarë të ndryshëm kanë dhënë mendime të ndryshme për rolin dhe punën e organizatave të shoqërisë civile.

“Perceptimet mbi praninë e korrupsionit në sektorin e shoqërisë civile tregon se 16% e të anketuarve besojnë se korrupsioni është i pranishëm në shkallë të madhe”, theksoi ajo.

Ajo shtoi se këto perceptime formohen kryesisht nga media dhe bisedat me të afërmit dhe miqtë (59%), ndërsa më pak se 10% e të anketuarve kanë raportuar përvojë personale në bazë të së cilës e kanë perceptuar praninë e korrupsionit.

Sipas saj, angazhimi qytetar në aktivitetet e organizuara nga shoqëria civile është mjaft i ulët.

“Sipas rezultateve, niveli i angazhimit publik është jashtëzakonisht i ulët”, theksoi ajo.

Kjo analizë është mbështetur në të dhënat e mbledhura nga anketa e Pulsit Publik për pjesën kuantitative, ndërsa konteksti kualitativ është ofruar nga takimet e tri fokus-grupeve të mbajtura në Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren.