Shoqëria Civile Kërkon Shqyrtim të Peticionit në Kuvend

Shoqëria civile në protestën që e nisi sot paralelisht me diskutimet për vdekjen e Astrit Deharit në Kuvend, kërkoi me anë të një shkrese që peticioni i 23 mijë e 774 qytetarëve të shqyrtohet në Kuvend.

Në këtë peticion që u dorëzua në Kuvendin e Kosovës më 29 nëntor përveç kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, nënshkruesit e tij kërkuan hetim të pavarur për vdekjen e Deharit, dorëheqje të ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme.

Por seanca e sotme e jashtëzakonshme ku po diskutohet për Deharin u thirr pas nënshkrimeve të deputetëve të PDK-së e LDK-së për të, duke injoruar peticionin.

Pas këtyre zhvillimeve, shoqëria civile dorëzoi në Kuvend një shkresë në të cilën i kërkon legjislativit shqyrtimin e peticionit.

“Përmes kësaj letreje kërkojmë që ju si deputetë në respekt të kushtetutshmërisë dhe të betimit tuaj, t’i trajtoni seriozisht kërkesat e mijëra qytetarëve të nënshkruar në peticion dhe që këto kërkesa të dalin si rezolutë nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës që do të mbahet më 20 dhjetor,” thuhet në shkresën e shoqërisë civile.

Besa Luzha e përmbylli protestën e shoqërisë civile jashtë Kuvendit, duke iu drejtuar të pranishmëve me fjalët se së shpejti deputetët do ta marrin shkresën e tyre.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit e saj, krahas parullës “Drejtësi”, mes tjerash brohoritën edhe “Neglizhenca ndaj Astrit Deharit është Neglizhencë ndaj Qytetarit”.

Në seancën e Kuvendit deputetja Albulena Haxhiu sapo njoftoi se shkresa e shoqërisë civile arriti në Kuvend, ndërsa kërkoi që ajo t’u shpërndahet deputetëve.

Besa Luzha që e dorëzoi peticionin në Kuvend më 29 nëntor, tha më herët për KALLXO.com se nga seanca e sotme pret që Kuvendi të dalë me një kërkesë për hetim të pavarur për vdekjen e Deharit.

http://kallxo.com/besa-luzha-presim-hetim-te-pavarur-per-deharin/