Shoqëria Civile Kërkon Rol të Shtuar të Auditorit në Kontrollin e Institucioneve

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në fjalën e tij ka theksuar gatishmërinë dhe dëshirën e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të thelluar bashkëpunimin me shoqërinë civile, institucionet akademike dhe median.

“Përmes kësaj tryeze ne dëshirojmë të vendosim një komunikim të rregullt me këto organizata, me qëllim krijimin i një forumi konsultativ për të koordinuar bashkëpunimin dhe fuqizuar më shumë transparencën dhe llogaridhënien në Kosovë”, ka thënë ai.

Roli i organizatave të shoqërisë civile në fuqizimin e institucioneve të pavarura është shumë i rëndësishëm në shoqëritë demokratike, prandaj, Osmani i ka ftuar ato që në të ardhmen të bëjnë vlerësime të integritetit të ZKA-së dhe bashkërisht të krijohet një traditë e takimeve të rregullta dhe të krijohet një axhendë e shqyrtimit të raporteve të auditimit.

Po ashtu, Osmani theksoi edhe nevojën e krijimit të një projekti të përbashkët për edukimin e publikut lidhur me rëndësinë e auditimit të jashtëm.

Folëse tematike në tryezë ishte Dr. Nazia Mintz-Habib, Drejtore e kërkimeve në Qendrën për fuqitë në rritje të Universitetit të Kembrixhit në Angli e cila foli për vlerat dhe përfitimet e participimit publik: praktikat më të mira të bashkëpunimit në mes të institucioneve supreme të auditimit dhe organizatave të shoqërisë civile. Në vazhdim është  zhvilluar debat i hapur në panel dhe me pjesëmarrësit.

Faik Ispahiu, drejtor i organizatës Internews Kosova,  tha se Auditori duhet të jetë më transparent se që ka qenë dhe të bashkëpunojë me mediat në çështje që kanë të bëjnë me rritjen e transparencës.

Në këtë drejtim, Ispahiu përmendi nevojën e publikimit të kontratave të mëdha, sidomos atyre për ndërtimin e autostradave në Kosovë, të cilat mbeten ende të paqasshme për mediat dhe publikun e gjerë.

“Duhet të auditohet secila kontratë më e madhe se 10 milionë euro. Është ndoshta kërkesë e madhe por nuk ka shumë kontrata të tilla të mëdha. Auditori duhet të jetë prokuror financiar, duhet ta ketë atë fuqi në publik”, tha Faik Ispahiu.

Ai tha se organizatat e shoqërisë civile janë të interesuara të bashkëpunojnë me Auditorin në të gjitha nivelet në mënyrë që “auditimi të jetë i pavarur, pa ndikime politike dhe të mos jetë i butë”.

Ndërsa Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se shoqëria civile e konsideron Auditorin si partner në punën e vet.

Ai e kritikoi gjuhën e pakuptueshme nëpër raportet e auditimit dhe kërkoi që kjo të thjeshtohet.

Por kërkoi edhe bashkëpunimin me Prokurorinë.

“Kritika jonë është mosbashkëpunimi i Auditorit me Prokurorinë. Dëshirojmë të shohim më shumë bashkëpunim me Prokurorinë. Shpesh raportet tona në KDI ku gjejmë shkelje nuk merren për bazë, por as raportet e Auditorit nuk merren për bazë”, tha Canhasi.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar iniciativën dhe kanë shprehur gatishmërinë për të shtyrë tutje këtë agjendë. U theksua e nevojshme të intensifikimi i bashkëpunimit, qoftë në fushën e edukimit dhe trajnimit por edhe në rritjen e aktivitetit të përbashkët për të ndikuar në përmirësimin e administratës publike dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Në këtë tryezë morën pjesë edhe përfaqësues tjerë nga Kontrolli i Lartë i shtetit të Republikës së Shqipërisë,  të organizatave të shoqërisë civile  – aktivitetet e të cilave ndërlidhen me veprimtarinë e ZKA-së, shoqatat profesionale që ofrojnë programe edukimi dhe kualifikimi për auditorë dhe kontabilistë, institucionet akademike dhe media.