Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi - Foto: KALLXO.com

Shoqëria Civile Kërkon Hetim të Pavarur për Lumezin

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar sqarime nga Prokuroria e Shtetit dhe hetime të pavarura lidhur me dyshimet për falsifikim ndaj Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Organizata Jo Qeveritare me fokus në sistemin e drejtësisë reaguan ndaj dyshimeve të ngritura së fundmi lidhur me vërtetësinë e provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu!, Demokraci Plus (D+) dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një komunikatë të përbashkët thanë se nuk janë ofruar sqarime të mjaftueshme nga ana e Lumezit lidhur me aferën që është raportuar në media.

“Marrë parasysh rëndësinë e institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe nevojën e sqarimit dhe zbardhjes sa më të shpejtë të gjithë kësaj situate, ne fillimisht kërkojmë nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, që të deklarohet haptas për publikun rreth dyshimeve për falsifikimin apo jo të provimit të jurisprudencës”, thuhet në komunikatë.

Ata po ashtu konsiderojnë se një zvarritje e hetimeve ndikon në imazhin e instituticionit e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Hetimi i pavarur dhe profesional, duhet të jetë i menjëhershëm në mënyrë që të zbardhen të gjitha dyshimet dhe të dalin para përgjegjësisë kushdo që mund të jetë i përfshirë në keqpërdorimet eventuale dhe në zhvillimet e fundit”, thuhet në komunikatë.