Shoqëria Civile Gjen Jotransparencë në Komunën e Klinës

Raporti i publikuar sot nga organizata joqeveritare “Koha” ka gjetur jo transparencë nga organet komunale të Klinës.

Raporti tregon të gjeturat në Komunën e Klinës, gjatë ish-qeverisjes dhe qeverisjes aktuale.

OJQ “Koha” publikimin e raportit e ka bërë në sallën e asamblesë komunale të Klinës, kur përveç organizatorëve, pjesëmarrës ishin edhe Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kryesuesi i Kuvendit Komunal,Fadil Gashi, asamblistë, dhe përfaqësues të bashkësive lokale.

Publikimi i raportit nga OJQ “Koha” është bërë në kuadër të programit “Qytetarë Aktivë dhe të Informuar përmes Ligjit për Qasje në Dokumente Publike”, të mbështetur nga Bashkimi Europian edhe Fondacioni Metamorphosis.

Të gjeturat e raportit janë evidentuar gjatë periudhës 2013-2017 të qeverisjes se Klinës nën drejtimin e Sokol Bashotës dhe tani Zenun Elezajt.

Sipas të gjeturave të raportit është evidentuar mangësi në transparencë.

“Është hasur në neglizhencë të organeve komunale ndaj kërkesave për qasje në dokumente publike. Shumë nga kërkesat e dërguara nuk kanë marrë përgjigje apo përgjigjet janë pranuar jashtë afatit ligjor sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Edhe pse është vërejtur një përmirësim në trajtimin e këtyre kërkesave, mbetet sfidë trajtimi dhe kthimi i përgjigjeve me kohë”, thuhet në komunikatën e OJQ-së “Koha” dërguar mediave.

Organizata ka vërejtur edhe mungesë koordinimi mes ekzekutivit dhe legjislativit.

“Ndër të gjeturat është evidentuar një moskoordinim ndërmjet Ekzekutivit dhe Legjislativit që si pasojë, në disa raste dokumentacioni është vonuar ose pranuar gjatë seancës, e cila rrjedhimisht ka rezultuar me vendime pa analizën e duhur nga ana e këshilltarëve komunalë”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës kryetari i Klinës Zenun Elezaj ka premtuar funksionalizimin e shpejtë të ueb-faqes zyrtare të komunës dhe takimet e shpeshta me banorët e fshatrave, për të cilat thuhet se do ndikojnë në hartimin e buxhetit komunal.

Bashkëpunim të mirë dhe llogaridhënie të plotë, sipas komunikatës për media, ka premtuar edhe kryesuesi i asamblesë komunale, Fadil Gashi.

Gjatë qeverisjes së Sokol Bashotës Komuna e Klinës nuk pajtohej me të gjeturat e “Kohës” dhe organizata me komunën vazhdimisht kishin mospajtime.

http://kallxo.com/vazhdojne-mospajtimet-mes-ojq-se-koha-dhe-komunes-se-klines/