Shoqëria Civile dhe BE Kundër Projektligjit për Shpifjen dhe Fyerjen

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, organizata “Çohu”, Instituti Demokratik i Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës thonë se kundërshtojnë fuqishëm draftligjin e hartuar të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Draftligji i propozuar shkel thellësisht parimet fundamentale të një shteti demokratik ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut. Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë që të kriminalizojë lirinë e shprehjes përbën një hap drejt autoritarizimit të Kosovës, dhe në kundërshtim të plotë me rrugën e reformave eropiane për të cilat Republika e Kosovës duhet të jetë e përkushtuar”, thekson ky grup i organizatave të shoqërisë civile.

“Ne vlerësojmë që draftligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë është hartuar në një proces krejtësisht të mbyllur, pa u thirrur grupi punues përkatës, dhe është nxjerrë në publik në një mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme”, thuhet më tej në reagimin e përbashkët.

Grupi i organizatave vlerëson se ndryshimet e propozuara përbëjnë hap drejt kontrollit të fjalës së lirë për të kritikuar institucionet e larta të Republikës së Kosovës përmes procedurës penale, “standard i cili do të ngulfaste lirinë e fjalës publike si instrument për të kërkuar përgjegjësi institucionale dhe politike”.

“Për më shumë, ndryshimet e propozuara në draftligjin në fjalë (në veçanti neni 6 i draftligjit që i referohet nenit 134 të Kodit Penal) nuk janë hapur dhe diskutuar asnjëherë në takimin e grupit punues për këtë draftligj”, thuhet në reagim.

Organizatat kërkojnë nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të tërhiqet prej një draftligji të tillë dhe të kërkojë falje publike për këtë veprim autoritar të saj, “i cili ka cenuar seriozisht kredibilitetin e institucionit dhe politikbërjes në Kosovë”.

Në rast të kundërt, organizatat premtojnë se do të marrin çdo hap për të penguar që një draftligj i tillë të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Rreth këtij zhvillimi ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila thotë se është e brengosur në lidhje me synimin e autoriteteve të Kosovës për të ndryshuar e plotësuar Kodin Penal të Kosovës me dispozita të reja për shpifjen dhe fyerjen.

“Kjo është në kundërshtim me trendet ndërkombëtare të shfuqizimit të ligjeve penale të shpifjes. Një numër shtetesh anëtare apo anëtare potenciale të BE-së, duke përfshirë Kosovën, tashmë kanë hequr kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, ndërsa vendet tjera kanë bërë hapa të rëndësishëm në të njëjtin drejtim”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes në Kosovë është raportuar si përparim në Raportin e Komisionit Evropian më 2013. Legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet”, thuhet më tej.

Në këtë komunikatë, BE-ja në Kosovë i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë respektimin e parimeve ekzistuese të garantimit të lirisë së shprehjes, të përligjur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është përafruar me standardet më të larta evropiane.

http://kallxo.com/ndryshimet-e-propozuara-ne-kodin-penal-kopje-e-ligjit-gjerman/