Arkiv - Marshi per te Zhdukurit Foto: Atdhe Mulla

Shoqatat e familjeve të personave të zhdukur kundër lirimit të parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit

Informacioni për mundësinë e lirimit të parakohshëm nga burgu të Vlastimir Gjorgjeviqit, të dënuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës ne Kosovë, i ka shqetësuar tejmase familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Mundësinë e lirimit të parakohshëm nga burgimi të Vlastimir Gjorgjeviqit, shoqatat e familjeve të personave të zhdukur e kanë konsideruar si veprimin më të padrejtë që do të mund t’u ndodhte.

“Ne familjarët e personave të zhdukur vazhdojmë të jetojmë me dhimbjet dhe pasojat e luftës dhe krimeve të kryera nga Vlastimir Gjorgjeviq dhe bartësit tjerë të institucioneve më të larta të Sërbisë”, thuhet në letrën që përfaqësuesit e shoëatave të përsonave të zhdukur ja kanë nisur Presidentit të Mekanizmit Ndërkombëtar të Tribunaleve Penale.

Sipas përfaqësuesve të shoqatave të familjeve të personave të zhdukur, Gjorgjeviq në vend se të lirohet duhej t’i përgjigjet mijëra thirrjeve të familjareve të personave të zhdukur për të mësuar fatin dhe vendndodhjën e më të dashurve të tyre pasi që Gjorgjeviq është personi përgjegjës për zhdukjen e tyre.

Në letrën drejtuar gjykatësit Carmel Agius, Presidentit të Mekanizmit Ndërkombëtar të Tribunaleve Penale, familjarët e personave të zhdukur i luten gjykatësit Agius që ta refuzoj kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm. Kjo për shkak se sipas familjarëve, në rast se Gjykata do të miratoj një kërkesë të tillë atëherë do të hapet rrugë në krijimin e praktikës së amnistisë kundrejt veprave penale të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.

“Shkelqësi, ju lutëm, na ndihmoni. Lirimi i tij i parakohshëm, pra pa e përfunduar dënimin, duke mos treguar për më të dashurit tanë dhe emrat e mbiemrat e zyrtarëve të lartë tjerë përgjegjës për dhimbjen, do të ishte edhe një praktikë e amnistisë paraprake për krimet kundër njerëzimit dhe krime lufte”, thuhet në letër.

Miratimin e kësaj kërkese, familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës me Kosovë e konsiderojne si shpërblim ndaj Gjorgjeviqit.

“Njekohësisht kjo do të paraqiste shpërblim për kriminelin – të dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vlastimir Gjorgjeviq nuk duhet të lirohet, ai është përgjegjës për dhimbjen tonë”, thonë përfaqësuesit e shoqatave të familjeve të personave të zhdukur.

Kjo letër është letra e dytë e cila i është dërguar Presidentit të Mekanizmit Ndërkombëtar të Tribunaleve Penale.

Familja e tre vëllezërve Bytyqi të vrarë nga forcat serbe pas përfundimit të luftës, para disa ditëve ka filluar një fushatë si thirrje për kundërshtimin e lirimit të parakohshëm nga burgu të të dënuarit për krime lufte, Vlastimir Gjorgjeviq.

Në kuadër të kësaj fushate, familja Bytyqi ka nisur dy letra.

Letrën e parë ia kanë drejtuar presidentit të Mekanizmit Ndërkombëtar të Tribunaleve Penale, nga i cili kanë kërkuar që ta refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

Ilir Bytyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit, përmes letrës thotë se Vlastimir Gjorgjeviq është personi përgjegjës për vrasjen e tre vëllezërve të tij.

Sipas Ilir Bytyqit ishte po Gjorgjeviqi që kishte urdhëruar rrëmbimin dhe më pas edhe gropimin e tyre në një varrezë masive së bashku me 75 persona të tjerë.

Kjo familje pandeh se  Gjorgjeviq ka dijeni për vendndodhjen e varrezave masive dhe  i njëjti nuk duhet të lirohet deri sa të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.

Kjo pasi siç thuhet në letrën drejtuar Tribunalit, familjarët meritojnë mbylljen e plagëve dhe familja Bytyqi meriton të vërtetën!

Ndërsa letrën e dytë ia kanë nisur presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq nga të cilët po kërkojnë që të bllokojnë lirimin e Vlastimir Gjorgjeviqit.

Fatos e Ilir Bytyqi përmes letrës së drejtuar presidenteve të Kosovës dhe Serbisë, i kanë informuar presidentet Thaçi dhe Vuçiq lidhur me fushatën e tyre dhe nga të njëjtit kanë kërkuar që të reagojnë për të parandaluar miratimin e kërkesës së Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

“Për shumë vite, presidenti Vuçiq më ka premtuar mua dhe familjen time se ai do të zgjidhë vrasjet e vëllezërve të mi.  Ai mund të fillojë t’i tregojë botës se është njeri i fjalës duke ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rastin e Vlastimir Gjorgjeviqit. Historia është duke parë”, është shprehur Fatos Bytyqi.

Ndërsa Ilir Bytyqi ka thënë se kjo është mundësi unike për Kosovën që të ndërmarrë veprime konkrete për t’i përmbushur premtimet për zbardhjen e rasteve të të pagjeturve.

“Ne kemi qenë të nderuar nga përpjekjet e shumta që Presidenti Thaçi dhe Qeveria e Kosovës kanë ndërmarrë për të nderuar vëllezërit tonë të rënë. Kosova tani e ka mundësinë unike për të ndërmarrë veprime konkrete për të përmbushur premtimet e vërteta të paqes dhe drejtësisë për familjen tonë dhe familjet e të zhdukurve. Ne ju nxisim që të veproni me shpejtësi”, thotë Ilir Byqtyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit (tre vëllezërve të vrarë në Serbi gjatë vitit 1999).

Por familja Bytyqi nuk është ndaluar me kaq pasi që përpos këtyre letrave, familja Bytyqi ka filluar edhe një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve si peticion kundër lirimit të parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

“ICTY: Mbaje Vlastimir Gjorgjeviqin në burg”, quhet iniciativa e filluar nga familja Bytyqi të cilët kërkojnë përkrahjen e popullatës për të adresuar këtë peticion në Tribunal për të kundërshtuar lirimin e parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

Iniciativën për fillimin e këtij peticioni mund ta gjeni në këtë link.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, këmbënguljen e SHBA-ve për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit Serb se fajtoret do ti vë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.

Të gjitha raportimet rreth këtij rasti mund t`i gjeni në këtë link.