Shoqata e gjyqtarëve pritet të reagojë për ‘ofendimin’ që policia i bëri gjyqësorit

Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës do të mblidhet javën e ardhshme për të dalë me prononcim në lidhje me “ofendimin” që Policia e Kosovës u ka bërë krerëve të gjyqësorit ne ceremoninë e 19 vjetorit të themelimit.

Në ceremoninë e cila është mbajtur dje për nder të 19 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, drejtuesit e sistemit gjyqësor të Kosovës janë skajuar në radhitje dhe ulje në karrige.

Organizatorët nuk e kanë respektuar fare faktin që pushtetet, ai gjyqësor, legjislativ e ekzekutiv, janë të barabarta.

Gjyqtari Riza Livoreka, njëherit kryetar i shoqatës tha për KALLXOcom se javën e ardhshme do të mblidhet bordi i shoqatës për te dalë me komunikatë për këtë ngjarje.

“Nuk mund të jap një deklaratë sepse javën e ardhshme do të mblidhet Bordi i Shoqatës (së gjyqtarëve) dhe do te dalim me një deklaratë të përbashkët”, tha gjyqtari Livoreka për KALLXOcom.

Nehat Idrizi, kryesues i KGjK-së, që është kreu organit më të lartë për menaxhimin e gjyqësorit, është ulur në rreshtat e fundit dhe prapa shumë këshilltarëve të presidentit Thaçi e kryeministrit Haradinaj.

Ai nuk ka dashur ta pranojë se ulja e tij në këtë formë është ofendim për pushtetin gjyqësor.

“Pritja e mysafirëve nuk ishte e organizuar. Dikush më thojke me dal me u ul dikun e një tjetër në një rresht tjetër kështu që e pash një shok timin polic edhe u ula tek ai. Kjo ka qenë arsyeja që nuk kam ndejtë deri në fund, ishte organizimi i stërzgjatur”, ka thënë Idrizi për KALLXO.com.

https://kallxo.com/policia-i-ofendon-kreret-e-drejtesise-i-ul-prapa-keshilltareve-te-thacit-e-haradinajt/