Polici i vrarë në Istog, Izet Demaj. Foto: Kallxo.com

Shoqata e Bankave të Kosovës ndau 25 mijë euro për familjen e policit Izet Demaj

Shoqata e Bankave të Kosovës ka marrë vendim të ndajë 25 mijë euro si ndihmë për familjen e policit Izet Demaj, i cili u vra dje në krye të detyrës.

Përmes një njoftimi, Shoqata e Bankave të Kosovës i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit Izet Demaj.

Shoqata ka njoftuar se përveç ndihmës monetare aktuale, vendimi i Shoqatës së Bankave parasheh edhe ndihma të tjera për të qenë pranë familjes Demaj edhe në të ardhmen për të ndihmuar këtë familje sado pak në këto rrethana të vështira në të cilat po kalojnë ata.

“Polici Demaj dha jetën e tij për të mbrojtur lirinë e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të drejtën e tyre për të jetuar dhe vepruar të qetë dhe të sigurte në Republikën e Kosovës. Izet Demaj nuk u pajtua me te keqen dhe ra heroikisht për një të ardhme më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Bankave në Kosovë.

Shoqata e Bankave të Kosovës ka dënuar fuqishëm veprimet e tilla kriminale siç ishte kjo grabitje e një banke, veprime të cilat janë bërë dukuri e shëmtuar në vitet e fundit në Kosovë dhe njëherit kanë shprehur mbështetje për institucionet e sigurisë për të rritur kapacitetet dhe angazhimet në parandalimin e këtyre incidenteve.