Shoqata e Bankave të Kosovës del me rekomandime për ngritjen e sigurisë kibernetike
Në kuadër të muajit botëror për sigurinë kibernetike, Shoqata e Bankave të Kosovës i njofton bizneset dhe qytetarët për disa nga rekomandimet për ngritjen e sigurisë kibernetike.
Është evidente se me zhvillimin e teknologjisë informative dhe shërbimeve digjitale, edhe mbrojtja nga sulmet kibernetike bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
Sulmet kibernetike janë fenomen global të cilat nuk kursejnë as Kosovën dhe në veçanti cenojnë bizneset dhe institucionet e ndryshme.
“Mashtrimet përmes sistemeve kompjuterike mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme prandaj Shoqata e Bankave të Kosovës paraqet disa rekomandime për bizneset në mënyrë që të mbrohen më mirë nga sulmet kibernetike”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Bankave të Kosovës.
Për të rritur sigurinë kibernetike rekomandohet që bizneset dhe organizatat e ndryshme të sigurojnë sistemet kompjuterike me antivirus, rekomandohet që sistemi operativ të mbahet rregullisht i azhurnuar me përditësimet e fundit, po ashtu patjetër të jetë i instaluar AntiVirusi dhe atë të mbahet rregullisht i azhurnuar.
Gjithashtu, edhe aplikacionet tjera siç janë shfletuesit (Explorer, Firefox, Chrome) të mbahen të përditësuar.
Të mos hapen e-maile të dyshimtë apo që nuk iu dihet dërguesi- edhe nëse vërtetë është pranuar një e-mail nga ndonjë burim i besueshëm dhe ajo e-mail nuk ka qenë duke u pritur, rekomandohet që paraprakisht ta kontaktohet dërguesi dhe të pyetet nëse vërtetë është ai dërguesi i e-mailit, dhe kjo ngase ndodh që e-maili i dërguesit është komprometuar dhe mashtruesit/hakerët përdorin atë e-mail për mashtrimin e të tjerëve.
Gjithashtu rekomandohet që mos të klikohet linku që vjen në e-mail, preferohet të shkruhet në ueb adresën e institucionit që dëshirohet të vizitohet në internet në adresën e ‘browser’-it. Po ashtu mos të hapen dokumentin /et e bashkëngjitur në e-mail që dërgohet nga dërguesit e panjohur ose që përmban ndonjë dosje të cilën ju nuk e prisni.
Rekomandohet që të ketë dyshime për personin i cili ka kërkuar nga ju informata të ndjeshme.
“Mos dërgoni informatat tuaja personale, në veçanti emrin e përdoruesit, fjalëkalimin dhe informatat e kredit kartelës përmes e-mailit, mesazheve të mediave sociale (‘Facebook’ etj.). Bizneset e ligjshme, sidomos bankat nuk do t’i kërkojnë përdoruesve të dërgojnë informatat e tyre personale të ndjeshme përmes këtyre mjeteve”, potencohet te rekomandimet e Shoqatës së Bankave të Kosovës.
Po ashtu preferohet të mos kryhen transaksione bankare në kompjuterë të cilëve ju nuk u besoni.
“Mos përdorni Wi-Fi (lidhje publike të internetit) kur kryeni ndonjë çështje financiare. Përdorni rrjeta të sigurta Wi-Fi ose 3G për çdo transaksion të sigurtë si e-banking dhe transaksione ‘online’ me kartela”, vazhdojnë rekomandimet.
Më tej thuhet që mos të shkarkohen aplikacione nga ndonjë media përveç tregjeve të aplikacioneve që ofron pajisja e telefonit mobil.
“Në ditët e sotme, është shumë e rëndësishme që përfituesit të pranohen në mënyrën më të sigurtë për të ekzekutuar pagesat me qëllim të shmangies së rrezikut të pagesave të falsifikuara. Në këtë kontekst, bizneset duhet të kontrollojnë dhe verifikojnë llogaritë e pagueshme të furnitorëve dhe po ashtu duhet të marrin faturën origjinale para ekzekutimit të pagesave. Këto janë përgjegjësitë kryesore të biznesit”, theksohet te rekomandimet.
I fundit si rekomandim është listuar që informatat e telefonit dhe e-mailit të ruajtura në sistemin bankar të jenë gjithmonë të përditësuara.
“Si përfundim, ju inkurajojmë që nëse eventualisht hasni në diçka të tillë apo jeni në dijeni se është duke u tentuar të kryhet vepra, të raportoni rastin në Policinë e Kosovës ku do të drejtoheni te Njësia për Luftimin e Krimeve Kibernetike”, përfundon njoftimi i Shoqatës së Bankave të Kosovës.