Shoqata, bankat kanë rritur kreditimin për bznese

Shoqata e Bankave të Kosovës ka njoftuar se bankat e Kosovës kanë rritur kreditimin për biznese këtë vit duke arritur në një rritje prej 11.3% e që është rritja më e madhe në tri vitet e fundit.

Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija kjo rritje paraqet edhe rritje të qasjes në financa për bizneset kështu duke mbështetur zgjerimin e bizneseve dhe rritjen e punësimit në Kosovë nga sektori real, thuhet në një njoftim të Shoqatës së Bankave.

Sipas Njoftimit, Balija ka potencuar punën e rëndësishme që janë duke bërë institucionet financiare përkatësisht bankat e Kosovës për të financuar zhvillimin ekonomik të vendit i cili është ngushtë i ndërlidhur me perspektiven e Kosovës dhe zhvillimin e mëtutjeshëm social dhe ekonomik.

Në të njëjtën kohë, Balija potencoi rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së titujve pronësore për t’i mundësuar ekonomive familjare në Kosovë që të financojnë më lehtë dhe më lirë pronën e tyre të banimit pasi që kjo është një parakusht i rëndësishëm i mirëqenies socio-ekonomike të secilës familje. Në këtë drejtim kërkohet që secili pushtet komunal të ketë një plan strategjik për të pajisur me tituj pronësor të gjithë ata që janë të interesuar të blejnë pronë banesore si dhe atyre që tanimë veç se janë pronar me kontratë të shitblerjes po që ju mungon titulli pronësor.

Sipas tij, zgjidhja e kësaj çështje do të ndikonte në shumë hallka të ekonomisë së vendit të cilat janë të ndërlidhura me pronën, përfundon njoftimi.