Bajram Hamitaga, prokurori që u suspendua pas emisionit "Drejtësia në Kosovë" - Foto: KALLXO.com

Shoferi Sekser Përjashtohet nga Puna

Luan Delili, shoferi i Prokurorisë së Prizrenit, për të cilin emisioni “Drejtësia në Kosovë” raportoi se kishte luajtur rolin e sekserit në mes të prokurorit tashmë të suspenduar, Bajram Hamitaga, dhe familjes së të akuzuarit Granit Paqarizi, është shkarkuar nga detyra.

Lajmin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për Luan Delilin e ka konfirmuar Astrit Kolaj, menaxher i Zyrës për Komunikim Publik i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial.

“Komisioni Disiplinor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës në bazë të kompetencave ligjore ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara dhe ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për z. Luan Delili”, thuhet në përgjigjen e Astrit Kolajt.

Pazaret në Prokurorinë e Prizrenit

Siç pati raportuar “Drejtësia në Kosovë”, Luan Delili kishte ndërmjetësuar në mes të familjes së të akuzuarit Granit Paqarizi dhe prokurorit Bajram Hamitaga, i cili është suspenduar pas transmetimit të emisionit.

Sipas të gjeturave të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, prokurori Bajram Hamitaga dyshohet se u ka kërkuar mito familjarëve të Granit Paqarizit, të cilin e kishte akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë.

Po ashtu, Hamitaga dyshohet se duke shfrytëzuar pozitën e tij si prokuror kishte kërkuar favore nga familjarët e të akuzuarit duke rregulluar kositëse të barit tek prindi i të akuzuarit pa paguar për shërbimin e marrë.

Gjithashtu Hamitaga e ka pranuar se e kishte pranuar edhe një çadër për kopsht nga familja e Granit Paqarizit, por të njëjtën e kishte kthyer një ditë më vonë.