Shoferi që shkaktoi aksidentin në Gjilan lirohet nga paraburgimi

Shoferit të kamionit i cili ka shkaktuar aksidentin tragjik  me 7 mars në qendër të Gjilan, ku mbeti i vdekur një person dhe 26 të tjerë u lënduan, i është ndryshuar masa e arrestit nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Pas kërkesës së prokurores së rastit, Rozelinda Manastiri për ndryshimin e masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak, Gjykata Themelore në Gjilan e ka aprovuar këtë kërkesë.

Lajmin për KALLXO.com  e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.

“Shoferit të kamionit që shkaktoi aksidentin në Gjilan i është ndryshuar masa nga paraburgimi për në burg shtëpiak. Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, dhe ka marrë vendim që I njëjti të qëndrojë në burg shtëpiak deri në datën 3 maj 2019”, ka  thënë Shkodra.

Më 7 mars, një kamion i një kompanie kosovare të prodhimit të ujit shkaktoi një aksident të rëndë në Gjilan në të cilin vdiq një person ndërsa 26 të tjerë pranuan trajtim mjekësor në spitalin rajonal dhe në QKUK.

Kamioni i cili po bartte ujë, si pasojë e mosfunksionimit të frenave shkaktoi aksidentin në mes të ditës në qendër të Gjilanit.

KALLXO.com ka zbuluar se kamioni nuk ishte i siguruar që nga viti 2017.

https://kallxo.com/kamioni-qe-shkaktoi-aksidentin-ne-gjilan-i-paregjistruar-qe-nga-viti-2017/

Me 9 mars, shoferit të kamionit i cili shkaktoj aksidentin, Gjykata në Gjilan i kishte caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë.

Javën e kaluar, familjarët e viktimës së këtij aksidenti ia falën gjakun familjes së të dyshuarit, në një ngjarje që u zhvillua në mjediset e komunës së Gjilanit.