Ilustrim

Shmangia e procedurave të prokurimit për blerjet nën 1 mijë euro nga 'Hortikultura'

Auditori ka gjetur se Ndërmarrja Publike “Hortikultura”, në të cilën aksionare është Komuna e Prishtinës, ka shmangur procedurat e prokurimit në disa prej blerjeve nën 1 mijë euro.

Sipas Rregullave dhe Udhëzuesit të Prokurimit Publik, Autoriteti Kontraktues mund ta përdorë procedurën me vlerë minimale për çdo kontratë publike vlera e përllogaritur e të cilës është më pak se 1 mijë euro.

Me dhënien e porosive për blerje në lidhje me prokurimin me vlerë minimale, Autoriteti Kontraktues do të sigurojë një konkurrim efektiv, transparencë dhe efektivitet të lartë të përdorimit të fondeve publike.

Gjatë testimit të 19 mostrave, në 12 prej tyre Auditori ka gjetur se ndërmarrja nuk ka zhvilluar fare procedura të prokurimit.

Prej tyre 9 mostra ishin furnizime me mobile dhe inventar për zyre dhe 3 raste të tjera pajisje të teknologjisë informative.

Vlera totale e furnizimeve për mobile dhe inventar për zyre sipas faturimit është 860 euro, ndërsa vlera e pajisjeve të teknologjisë informative ishte 1,085 euro.

Këto furnizime kanë qenë të planifikuara, por sipas zyrtarit të prokurimit nuk janë zhvilluar procedura të prokurimit për shkak se mobilet dhe pajisjet tjera janë blerë të kualitetit më të mirë nga operatori i përzgjedhur sesa nëse do të bliheshin përmes prokurimit.

Sipas Auditorit, blerja e mobilieve dhe pajisjeve tjera duke anashkaluar procedurat e prokurimit ka ndikuar në favorizimin e një operatori të caktuar ekonomik dhe ka dëmtuar konkurrencën e lirë dhe transparencën.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj se të gjitha blerjet që i nevojiten ndërmarrjes të planifikohen dhe pastaj të realizohen përmes procedurave adekuate të prokurimit duke pas parasysh konkurrencë e lirë dhe transparencën për të arritur vlerën e shtuar për para”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.