Shmanget mbyllja e sërishme e Qeverisë amerikane?!

Demokratët dhe republikanët në Shtetet e Bashkuara arritën marrëveshje në parimmbi sigurinë në kufi, e cila do të financojë Qeverinë amerikane dhe do të shmangë një mbyllje tjetër të saj.

Marrëveshja përmban vetëm një pjesë të parave që presidenti Donald Trump i kërkon për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën dhe nuk përmend ndonjë barrierë konkrete.

Marrëveshja duhet të miratohet nga Kongresi dhe të nënshkruhet nga presidenti.

Duke folur pas njoftimit për të, Trump nuk e qartësoi nëse do ta mbështesë ose jo marrëveshjen. “Ne do ta ndërtojmë murin gjithsesi”, tha ai.

Demokratët, që kontrollojnë tani Dhomën e Përfaqësuesve, kanë refuzuar të autorizojnë shumën prej 5.7 miliardë dollarësh që Trump e kërkon për ndërtimin e murit.

Ligjvënësit u shprehën optimistë se ligji do të miratohet deri të premten, kur edhe mbarojnë fondet për disa agjenci federale.

Mbyllja 35-ditëshe e qeverisë, e cila ka përfunduar muajin e kaluar, ka qenë më e gjata në historinë e SHBA-së dhe ka bërë që qindra-mijëra punonjës federalë të mos marrin rroga.

Është llogaritur se mbyllja i ka kushtuar ekonomisë amerikane rreth 11 miliardë dollarë.

Sondazhet kanë treguar se amerikanët e kanë fajësuar Trumpin për këtë.

Marrëveshja u arrit në një takim me dyer të mbyllura, të hënën mbrëma në Uashington, pas disa orësh bisedime.

Ajo përfshin 1.3 miliard dollarë fonde për ngritjen e barrierave fizike në kufi, të gjata 88 kilometra, përfshirë shtylla të çelikut që i ka kërkuar presidenti.

Senatori republikan, Richard Shelby, tha se të gjitha çështjet e pazgjidhura janë zgjidhur.

“Besojmë se nëse marrëveshja bëhet ligj, ajo do ta mbajë qeverinë të hapur”, tha ai.

Duke folur në një tubim në El Paso të Teksasit, Trump tha se muri do t’i mbronte amerikanët nga kriminelët e dhunshëm dhe drogat e paligjshme.

“Muri ndërtohet. Do të vazhdojë. Po shkon me një ritëm të shpejtë”, tha Trump.

“Muret bëjnë punë. Muret shpëtojnë jetë”, tha ai.

Në javët e fundit, Trump ka kërcënuar me shpalljen e emergjencës kombëtare nëse Kongresi nuk i autorizon paratë për murin, por ligjshmëria e një mase të tillë është e diskutueshme.

Sipas Kushtetutës amerikane, Kongresi ka fuqinë ligjore t’i miratojë masat buxhetore.