ShKSUK  e sheh si sukses vitin 2018

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka prezantuar rezultatet e punës gjatë vitit 2018.

Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se në kohën kur ai e ka marrë drejtimin e QKUK-sw e ka gjetur në gjendje jo të mirë, duke e cilësuar vitin 2018 si vit i të arriturave të mëdha në sektorin e shëndetësisë.

“Ne e kemi gjetur QKUK në një gjendje jo të mirë dhe kemi vendosur që të vëmë pacientin në qendër. Në QKUK identifikimi ka qenë në atë formë që duhet të frekuentohet në ato klinika që kanë pasur të sëmurë në numër të shumtë. Në bashkëpunim me donatorët kemi arrit që ti forcojmë aktivitetet. Ka pasur bashkëpunim të ngushtë mes ShSKUK – së dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Kemi investuar në të gjitha fushat. Viti 2019 është plan që të fokusohemi edhe në spitalet regjionale. Shumë klinika kanë pasur me vite të tëra mungesë të pajisjeve dhe kjo na ka penguar shumë gjatë punës sonë. Një projekt tjetër është çështja e pacientëve jashtë spitalor”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se në planet e punës të 2019-ës do të jenë të përqendruara edhe në spitalet regjionale duke i pajisur ato me mjete të nevojshme, që të minimizohen mungesat e shërbimeve.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, këtë vit e ka cilësuar si vit shumë të suksesshëm dhe intenziv.

“Ka qenë një vit intenziv në sektorin e shëndetësisë, e keni parë që kur i jepet prioritet shëndetësisë edhe punëtorët e shëndetësisë e përkrahin këtë. Ne jemi munduar që pacientëve kosovarë të ju krijojmë një derë që të shkojnë kur ata kanë nevojë”, ka thënë Ismajli.

Ismajli po ashtu ka përmendur edhe mungesën e buxhetit dhe mos rritjen e pagave për punëtorët shëndetësor.

“Mungesa e buxhetit, pajisjeve kanë ndikuar që të ju humb besimi pacientëve, ne kemi rritur buxhetin nga viti ne vit, por jemi ende të impenjuar që të kemi rritje të pagave për punëtorët shëndetësor.Kthimi i pacientit në qendër është në prioritet i yni si i politikbërjes ashtu edhe i juaji dhe ju falënderoj që keni shpëtuar mijëra jeta njerëzish”, ka shtuar Ismajli.

Ismajli ka shtuar edhe problemin e mungesës së sigurimeve shëndetësore në Kosovë si vendi i vetëm në Rajon pa këtë shërbim duke kërkuar mobilizimin e punëtorëve shëndetësor për të arritur një gjë të tillë.