Shkrimtari Agim Vinca për iniciuesin e Manifestit të tridhjetë intelektualëve evropianë

Shkrimtari dhe studiuesi Agim Vinca,  përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka veçuar personalitetin dhe kontributin e hartuesit të Manifestit të tridhjetë intelektualëve evropianë, Bernard-Henri Lévi.

Përmes këtij postimi Vinca pohon se iniciuesit i Manifestit të intelektualëve evropianë, është njeriu që ndikoi shumë që qëndrimi tradicionalisht pro-serb i inteligjencies franceze  të ndryshonte rrënjësisht, një kundërshtar i rreptë i regjimit të Millosheviqit, dhe që gjykoi luftërat që u zhvilluan në truallin e Ish-Jugosllavisë dhe krimet mbi popujt e saj, në mënyrë të veçantë mbi boshnjakët dhe shqiptarët

Postimi i plotë i Prof. Dr. Agim Vinca për Levin:

“BHL”-ja dhe luftërat e tij për liri e demokraci

(Edhe dy fjalë për hartuesin e Manifestit të tridhjetë intelektualëve evropianë, filozofin, shkrimtarin dhe regjisorin francez Bernard-Henri Lévi)

Është njeriu që ndikoi shumë që qëndrimi tradicionalisht proserb i inteligjencies franceze (pjesës dërrmuese të saj) të ndryshonte rrënjësisht. Kundërshtar i rreptë i regjimit gjakatar të Millosheviqit, ai gjykoi luftërat që u zhvilluan në truallin e Ish-Jugosllavisë dhe krimet mbi popujt e saj, në mënyrë të veçantë mbi boshnjakët dhe shqiptarët. Në vitin 1993, në kulmin e luftës, vizitoi Sarajevën dhe me atë rast shqiptoi fjalinë e famshme: “Evropa fillon në Sarajevë”, e cila u bë njëfarë slogani në zgjedhjet për Parlamentin Evropian një vit më vonë (1994).

I shkoi në takim presidentit të atëhershëm francez, François Miterrand (Miteran) dhe kërkoi nga ai që të angazhohej për ndërprerjen e gjakderdhjes në Bosnjë dhe të krimeve çetnike mbi popullsinë e pafajshme myslimane. Bëri edhe një film për luftën në Bosnjë, të cilin e shfaqi në Festivalin e Kanës dhe mori çmim për të. Dënoi apartheidin e regjimit serb në Kosovë në vitet ’90 dhe mbështeti pa rezervë, tok me shumë të tjerë (Salman Ruzhdie, Mario Vargas Llosa e të tjerë), fushatën e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Ka qenë anëtar i Komitetit për Kosovën (bashkë me Kadarenë e të tjerë) të formuar në Paris në fund të viteve ’90 dhe në shumë shkrime e paraqitje publike ka ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe ka kërkuar zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës.

Për të gjitha këto ka zgjuar simpatinë e njerëzve progresistë dhe urrejtjen e nacionalistëve dhe shovinistëve serbë e të tjerë.

Në maj të vitit 2017, kur erdhi për të marrë pjesë në një festival të filmit dokumentar në Beograd, ai u sulmua fizikisht nga një grup huliganësh serbë. Derisa fliste me mikrofon në dorë për filmin e tij, njëri e goditi me tortë në krye, dy-tre të tjerë bërtisnin dhe mbanin transparente në të cilat shkruante: “Jashtë nga Beogradi; ke mbështetur bombardimet ndaj Serbisë”. Me njërin prej këtyre huliganëve serbë, filozofi i famshëm u përlesh fizikisht, për çka u duartrokit nga publiku në sallë. (Shih youtube)

Me gjithë fyerjen dhe sulmin që iu bë, gjeti forcë të kthehej në sallë dhe të mbante një fjalim të shkurtër, në të cilin, ndër të tjera, tha: “Serbia nuk paska ndryshuar. Kjo dëshmon se në Beograd ende nuk ka demokraci. Nuk dëshirojnë ta dëgjojnë të vërtetën, më akuzojnë se mbështes imperializmin, të cilin e mbështesin vetë. Ata janë fashistë të vegjël. Jam krenar që këtu mbrojmë demokracinë. Serbia meriton të hyjë në Evropë dhe më vjen mirë që Beldocs-i (emri i festivalit – A. V.) e futi në program dhe e shfaqi filmin tim”.

Duke kujtuar vizitat e tij të mëparshme në Beograd, shtoi: “Sikurse atëherë, edhe tani them: E kam konsideruar të nevojshëm çlirimin e Serbisë nga Millosheviqi, jam angazhuar për zgjidhje politike kundër tij. Ai ishte luftënxitës, jetonte nga lufta, kurse të tjerët vdisnin nga lufta”.

Faktet e përmendura më lart dëshmojnë për angazhimin e këtij filozofi dhe intelektuali të njohur në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe të vlerave të lirisë dhe demokracisë kudo në botë.

Kjo është një arsye më shumë pse dola në mbështetje të Manifestit të tridhjetë intelektualëve evropianë, në krye të të cilëve qëndron pikërisht ky njeri dhe intelektual: Bernar-Anri Levi, i cili arriti t’i bënte bashkë edhe 29 intelektualë të tjera elitarë, shkrimtarë, studiues, filozofë e publicistë nga gjithsej 21 vende të botës, gjë që nuk është punë aspak e lehtë.

Një ish-student imi që jeton në Zvicër, Mr. Bislim Elshani, theksoi me të drejtë këto ditë se mjedisi ynë akademik e intelektual do të duhej ta ftonte në Prishtinë një intelektual si Bernard-Henri Lévi, ta dëgjonin studentët e të merrte edhe ndonjë dekoratë nga presidenti për kontributin e tij në favorin tonë e jo të tregohemi mosmirënjohës ndaj tij.