Rahoveci - Foto: KALLXO.com

Shkollat e Rahovecit se respektojnë vendimin për kompensimin e orëve

Megjithëse Komuna e Rahovecit kishte vendosur që forma e kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës, të jetë sikurse vendimi i Ministrisë së Arsimit, shkollat e kësaj komune nuk e kanë zbatuar atë.

Vendimi i minstrisë thoshte që orët duhet të zëvendësohen një pjesë të shtuneve, një pjesë brenda pushimit pranveror dhe një pjesë në fund të vitit shkollor.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Morina thotë për KALLXO.com se vetëm 5 nga 30 shkolla janë duke i zëvendësuar orët e humbura.

“Ne jemi munduar që ta zbajtojmë vendimin e ministrisë si DKA, por me atë vendim nuk kemi pas sukses. Vetëm në disa shkolla është bërë zëvendësimi i orëve, nga 30 shkolla që kemi vetëm 5 shkolla kanë mbajtur mësim të shtunën e kaluar”, tha Morina duke shtuar se SBAShK nuk i lejon mësimdhënësit të mbajnë mësim.

“Ne jemi për atë që të vazhdohet edhe viti shkollor por shpresojmë që të gjendet një zgjidhje sepse po dëmtohen nxënësit, sidomos klasat e para”, shtoi Morina.

Përveç Rahovecit komunat që kanë gjetur zgjidhje për kompensimin e orëve janë: Hani i Elezit, Fushë KosovaPrizreni, Peja, Prishtina dhe Obiliqi.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur më 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lërë në duar drejtorive komunale të Arsimit.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund t’i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva tri javëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.

“Hallakama” për kompensimin e orëve të mësimit