Shkollat e Prishtinës në renovim, mësimi i humbur do të kompensohet

Dy shkolla të Prishtinës që shtynë fillimin e vitit shkollor pritet të zëvendësojnë ditët e humbura të mësimit.

Renovimet që kanë filluar gjatë verës në shkollën ‘Elena Gjika’ dhe ‘Pavarësia’ nuk kanë arritur të përfundohen me kohë për datën 3 shtator.

Për shkak të kësaj, nxënësit e këtyre shkollave do të fillojnë mësimet 10 ditë më vonë.

Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jonuz Salihaj për KALLXO.com tha se ditët e humbura të mësimit do të zëvendësohen në fund të vitit.

“Ditët e humbura- 10 do të zëvendëso0hen në fund të vitit mësimor”, tha Salihaj.

Lidhur me shkollën ‘ Elena Gjika’, saktësisht dy muaj më parë, më 3 korrik të këtij viti, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte thënë se punimet kryhen para fillimit të vitit shkollor.

“Sot kemi nënshkruar një marrëveshje që ka të bëjë me arsimin, përkatësisht me shkollën ‘Elena Gjika’ që është një prej shkollave më të vjetra që i kemi si komunë por edhe ka qenë në gjendje më të rëndë. Kemi vendosur ta renovojmë këtë shkollë me bashkëfinancim ku pjesën më të madhe do ta bart TIKA, ndërsa ne do të bashkëfinancojmë një pjesë. Do të ndërrohet edhe inventari komplet i shkollës. Ne synojmë që shkolla të jetë gati në vitin e ri shkollor, pra në shtator”, kishte thënë Ahmeti.

Ai shtoi se “sa i përket shkollës “Pavarësia” kemi pasur kërkesa të shumta të nxënësve për shkak se është rritur numri i paraleleve të reja, është dashur të shtojmë edhe tri klasa dhe një kabinet”

Krypometri kishte vlerësuar deklaratën  e Shpend Ahmetit si rrenë me kos meqë synimi i tij për fillimin e vitit shkollor me kohë në këto shkolla nuk është realizuar.

Vonohet renovimi i shkollave në Prishtinë