llustrim - FOTO FCB A.H.

Shkolla Verore bën bashkë artistë, filozofë e sociologë vendor e ndërkombëtarë

Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina, sot ka bërë hapjen zyrtare të edicionit të katërt vjetor të Shkollës Verore, pjesë e së cilës do të jenë 82 pjesëmarrës nga Kosova dhe vende të tjera.

Albert Heta nga Qendra për Art Bashkëkohor tha se pjesëmarrësit sot e fillojnë punën e tyre në kurse të caktuara, duke mundësuar një bashkëpunim rajonal për artin.

Profesoresha e departamentit të Sociologjisë, në Universitetin e Prishtinës, Linda Gusia tha se përmbajtja e Shkollës Verore për këtë vit do të jetë e përqëndruar në përdorimin e artit në hapësira publike përmes pikëpamjeve feministe.

“Kryesisht kursi ka me u fokusua në rëndësinë e artit si mjet protestues, si formë e rezistencës, mënyrave të ndryshme se si arti është përdorur dhe përdoret në hapësira publike, domethënë fokusi ka me qenë në artin në hapësira publike, por sidomos me një këndvështrim apo me një pikëpamje feministe. Domethënë ideja ka me qenë prej aspektit gjinor me shikua artin si formë proteste”, tha Gusia.

Shkolla Verore do të ketë gjithsej 11 kurse, të cilat kanë të bëjnë me artin, teoritë filozofike e sociologjike dhe arkitekturore.

Këtë vit do të jenë pjesëmarrës 54 ndërkombëtarë dhe 28 vendorë, të cilët përfaqësojnë 26 vende të ndryshme të botës.

Pjesë e programit publik të ligjëratave, ekspozitave, programit të filmit, performancave muzikore, si dhe ngjarjeve të tjera janë 26 artistë, ligjërues dhe udhëheqës të kurseve.

Kjo Shkollë Verore ka filluar sot me 16 korrik dhe do të vazhdojë deri me 2 gusht të këtij viti.