Shkolla si në Kohën e Luigj Gurakuqit

Në Kosovë, tash kur kanë kaluar gati shtatëmbëdhjetë vjet nga përfundimi i luftës, ka fëmijë që mësojnë në shkolla në kushte të rënda.

Një prej tyre është shkolla fillore “Luigj Gurakuqi” në Batllavë të Podujevës, paralelja e ndarë në lagjen Nesusht.

Rreth 400 filloristë vijojnë mësimin nga e hëna në të premten në këtë godinë me mure të çara, me dysheme të dëmtuar dhe që kundërmon për shkak të vjetërsisë.

Shkolla përbëhet nga dy objekte me gjashtë klasë me hapësira të vogla, banka e karrige të dëmtuara dhe dritare shumica e të cilave nuk hapen.

Asaj i mungon objekti për edukatën fizike, ndërsa për tualet nxënësit shfrytëzojnë një objekt të vogël, i cili është i papastër dhe i mbushur me karrige të vjetra. Për të shkuar në të, nxënësit duhet të dalin së pari në oborr.

Përveç nxënësve, frekuentues të kësaj shkolle janë edhe minjtë. Sipas mësimdhënësve, këta brejtës janë shpesh të pranishëm sidomos gjatë stinës së verës.

Drejtori i Arsimit i Komunës së Podujevës, Avni Maloku, thotë se nuk mund të marrë përgjegjësi se përse nuk është bërë asgjë në këto vitet e pasluftës për nxënësit e kësaj paralele.

“Unë mund të flas vetëm për kohën kur jam unë, nuk mund të flas për 16 vite pas lufte sepse nuk mund ta marr përgjegjësinë” tha ai për KALLXO.com.

Në këto kushte nxënësit e shkollës “Luigj Gurakuqi” do të vazhdojnë të jenë deri në verë, ngaqë në atë kohë besohet se do të jetë e gatshme për shfrytëzim shkolla e re, e cila është në ndërtim e sipër.

Vitin e kaluar ka filluar ndërtimi i shkollës, mirëpo në mungesë të mjeteve nga Ministria e Arsimit janë ndërprerë punimet. “Besojmë që këtë verë do të hapet shkolla” tha Maloku, duke theksuar se MASHT-i ka premtuar që këtë vit do të ndahet një shumë parash për vazhdimin e ndërtimit të kësaj shkolle.