Shkolla ndalon përdorimin e librave të palicensuara nga MAShT

Drejtoresha e shkollës filore të mesme të ulët “Ismail Qemaili’ në Prishtinë , Hatmone Demiri, ka tërhequr vërejtjen që të parandalojë përdorimin e librave të palicensuar për mësim.

Raportime anonime në KALLXO.com treguan se në këtë shkollë nxënësit e klasave të katërta po detyrohen t’i blejnë librat e leximit letrar të shtëpisë botuese ‘ALBAS’ nga Shqipëria ndërsa librat e licencuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk po shfrytëzohen për mësim.

KALLXO.com ka biseduar me drejtoreshën e shkollës filore të mesme të ulët “Ismail Qemaili”, e cila tha se kjo nuk është e vërtetë.

Ajo tregoi se mospërdorimi i librave të licencuar nga MAShT është i ndaluar dhe se ajo tashmë ka njoftuar mësimdhënësit për këtë gjë, ndryshe përgjegjësia do të bie mbi mësimdhënësit.

“Ne kemi biseduar disa herë me mësimdhënësit, faktikisht i kemi pasur disa konsultime me mësueset e ciklit të ulët dhe ju kemi dhënë urdhër të prerë që librat e ALBAS-it nuk janë të licencuara nga Ministria dhe ato libra që nuk janë të licencuara nga ministria, ne ju kemi thënë që ato nuk duhet të funksionojnë në shkollën tonë megjithatë për të vërtetuar këtë ne kemi dhanë edhe një lajmërim në sallën e arsimtarëve, të cilën e kemi vendosë dhe i kemi paralajmëruar që librat mos të blihen. Mund të ndodhë gjithçka nga prindërit, por ne drejtoria e shkollës nuk kemi dhënë asnjë udhër për blerjen e librave dhe nuk kemi informacione për këtë” tha Demiri për KALLXO.com.

Mirëpo, kjo shkollë ende nuk është pajisur me libra të nevojshëm për vazhdimin e vitit shkollor.

Drejtoresha e shkollës tha se ka ende të mungesa të librave, të cilat nuk janë shpërndarë me kohë nga MAShT, por me zgjidhje alternative duke marrë nga shkollat e tjera ata kanë mundur deri në një masë të mbulojnë mungesat e librave.

“Ka mungesë, jo shumë, në të gjitha klasat por ka mungesë, megjithatë ne kemi bërë disa zgjidhje duke kërkuar në shkollat tjera, të cilat kanë pasur libra më tepër kemi marrë, sidomos te klasat e para jemi furnizuar, kemi pasë në mungesë diku 50 abetare dhe të gjitha ato i kemi siguruar nga shkolla “Hasan Prishtina” dhe në shkollat tjera, faktikisht ne ju kemi huazuar edhe shkollave të tjera libra, të cilat i kemi pasë në tepricë sepse në stoqet tona nga viti i kaluar kemi pasë disa libra tepricë ashtu që e kemi bërë këmbimin me shkollat dhe tani po presim që këto librat që kanë ardhë në mungesë nga Ministria e Arsimit dhe Libri Shkollor” tregoi Demiri.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilët kanë thënë se shkollat mund të përdorin vetëm libra të aprovuara nga MAShT dhe jo të tjera.

Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi tha se kjo ministri ndalon përdorimin e librave të palicensuara nëpër shkolla.

“Librat bazë janë librat e aprovuara nga MAShT, ndërsa nuk ua ndalon mësimdhënësve të përdoren tekste tjera, por të miratuara gjithashtu edhe ato nga MAShT. Nëse MAShT dëgjon që ndonjë mësimdhënës fut në shkollë tekste, revista që s’janë të miratuara dhe bien ndesh me politikat e Republikes së Kosovës, normal që urgjentisht duhet të I’a ndalon” thuhet në përgjigjen e MAShT.

Drejtoresha e shkollës së mesmë të ulët “Ismail Qemaili” tha se hapësirat e shkollës janë të vogla në krahasim me numrin e madh të nxënësve.

Ajo tha se për këtë po ndikon udhëzimi administrativ që Drejtoria e Arsimit i ka dhënë shkollës, i cili ju jep të drejtë prindërve të regjistrojnë fëmijën më afër banimit apo punës e që shkollës po i shkakton mjaftueshëm probleme.