Kompjuterët e dhuruar donacion nga mërgimtari Bashkim Shala për shkollën "Ismail Qemali" të Bellanicës - Foto: Facebook

Shkolla e Bellanicës Aplikon Mësimin Digjital

Shkolla ‘Ismail Qemali’ në Bellanicë të Malishevës ka filluar aplikimin e një metode të re të mësimit.

Në vend të tabelave klasike nëpër klasat e kësaj shkolle janë vendosur monitorë që do të mundësojnë zhvillimin e procesit mësimor në mënyrë digjitale.

Për të parë nga afër këtë organizim, shkollën e kanë vizituar edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe drejtori i Arsimit, Avdi Morina.

Ata kanë përgëzuar mësimdhënësit dhe nxënësit për këtë ndryshim që sipas tyre modernizon procesin mësimor.

Komuna e Malishevës ka njoftuar se realizimi i këtij pilot-projekti është mundësuar pasi që shkolla “Ismail Qemali” ka fituar një projekt për pajisje me monitorë dhe në saje të një donacioni të mërgimtarit Bashkim Shala nga Guncati.

“Në Komunën e Malishevës, procesi mësimor ka filluar në të gjitha shkollat, mirëpo e veçantë e këtij viti është edhe një pilot-projekt i ri, i digjitalizimit të shkollave, ku nxënësit përveç mësimit që do ta marrin përmes shpjegimit klasik, do të kenë mundësi që të mësojnë edhe përmes monitorëve të vendosur në klasa”, njofton Komuna e Malishevës.

Me donacionin e mërgimtarit është kompletuar kabineti i informatikës i shkollës.

Begaj, Morina, dhe drejtori i shkollës Isuf Sertolli, e kanë falënderuar bashkatdhetarin Shala për këtë ndihmë në kompletimin dhe futjen në funksion të kabinetit të informatikës, si dhe për ndihmën e vazhdueshme të tij.

Duhet theksuar se ky nuk është donacioni vetëm i mërgimtarit Bashkim Shala.

KALLXO.com ka raportuar më 19 korrik se ky mërgimtar ka sjellë 51 karroca për personat e hendikepuar, të cilat ia ka dorëzuar qendrës së “Handikos”-it në Malishevë.

http://kallxo.com/mergimtari-sjell-51-karroca-per-persona-te-hendikepuar/