ARKIV - Komuna e Ranillugut

Shkeljet në zbatimin e kontratave në Komunën e Ranillugut

Operatori ekonomik i kontraktuar nga Komuna e Ranillugut, kishte ndërprerë punimet e një salle sportive për shkolla në vlerë prej 113 mijë e 421 euro pa dhënë asnjë arsyetim. E ky veprim nuk ishte ndëshkuar nga Komuna e Ranillugut përkundër që një gjë e tillë i garantohej më kontratë. Këto detaje janë pjesë Auditimit të Pasqyrave Financiare të Komunës së Ranillugut që është kryer nga Zyra Kombëtare e Prokurimit.

“Operatori ekonomik ishte vonuar në përfundimin e punëve, dhe me datë 29.12.2017 në mënyrë të njëanshme kishte ndërprerë punimet pa ndonjë arsyetim dhe pa pajtimin e menaxherit të kontratës. Përkundër kësaj komuna nuk kishte ndërmarrë hapat e duhur për të konfiskuar sigurimin e ekzekutimit, 10% të vlerës së kontratës”, thuhet në raport të Auditimit.

Ndërprerja e punimeve ishte bërë 19 ditë pasi i ka tejkaluar afati për përfundim të punimeve.

“Sipas kontratës projekti duhet të përfundonte me 10.12.2017. Për punët të cilat janë realizuar, komuna kishte paguar 53 mijë e 13 euro”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas këtij raporti, ndërprerja e punimeve në mënyrë të njëanshme si dhe mos konfiskimi i sigurimit të ekzekutimit rrit rrezikun e mos përfundimit të punimeve sipas afatit kohor të paraparë si dhe rrit shpenzimet tjera për tenderim të ri.

Kjo komunë ka pasur kritika edhe në pagesat e TVSH-së për projektet e financuara nga donatorët, duke i quar dëm mbi 4 mijë e 500 euro.

“Në dy raste ku bashkë financues ishin donatorët, komuna kishte paguar në llogari të përfituesve vlerën e plotë të faturave duke mos zbritur vlerën e TVSH-së, si te pagesa për projektin “Rregullimi i lumit” në vlerë 15 mijë e 892 euro, është paguar gabimisht edhe vlera e TVSH-së prej 2 mijë 424 euro si dhe te projekti “Rregullimi i platos” në vlerë 14 mijë e 669€, gjithashtu është paguar gabimisht vlera e TVSH-së prej 2 mijë e 238 euro”, thuhet në raport.

Kjo çështje sipas Auditorit të Përgjithshëm rrit rrezikun për zvogëlim të donacioneve si dhe komuna e Ranillugut zvogëlon mundësitë e përfitimeve maksimale nga donacioni i dhënë.

Auditorit thotë se Komuna e Ranillugut nuk i ka regjistruar të hyrat nga taksa e veprimtarisë në mënyrën e duhur.

“Komuna ka planifikuar të hyra nga taksa e veprimtarisë në vlerë 20 mijë e 85 euro, ndërsa janë realizuar 12 mijë e 943 euro apo 64% të planifikimit. Megjithatë komuna gjatë evidentimit të tyre ka gabuar në regjistrim në librin kryesor, duke i regjistruar si “taksa tjera administrative” në kodin 50019, derisa kodi adekuat sipas planit kontabël ishte “taksa të veprimtarisë” në kodin 50029”, është thënë në raportin e Auditimit.