Zëvendësministri i shkarkuar i Mbrojtjes Sead Jusiq gjatë një interviste me BHRT.

Shkarkohet Zëvendësministri Boshnjak i Mbrojtjes

Dhoma e Përfaqësuesve e Bosnjës votoi sot për shkarkimin e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Sead Jusiq, i cili u akuzua për shkelje të ligjit se kishte pranuar të lejonte praninë e Ushtrisë Boshnjake në festimin në janar të përvjetorit të krijimit të entitetit të Republikës Srpska pavarësisht një ndalimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë ligjvënësit refuzuan propozimet për shkarkimin e ministres së Mbrojtjes, Marina Pendes, dhe zëvendësit tjetër të saj, Boris Jereniq.

Vetë Jusiq personalisht nënshkroi një kërkesë për praninë e trupave në ditën e ndaluar e Republikës Srpska, e cila u dorëzua nga anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Mladen Ivaniq, ndërsa Pendes ishte me pushime.

Jusiq tha se ishte “i habitur” nga rezultati i votimit, sipas faqes lokale të lajmeve Klix.

“Unë mendoj se i kam shërbyer postit tim në përputhje me ligjet në fuqi”, tha ai.

Pasi festimi i 9 janarit u vendos si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, institucionet shtetërore dhe Kombet e Bashkuara paralajmëruan se çdo prani e Ushtrisë Boshnjake në festime do të ishte e paligjshme.

Prania e trupave në këtë event të ndaluar serb shkaktoi zemërim ndër shumë politikanë të Bosnjës, sidomos boshnjakë.

Kërkesa për zëvendësimin e Pendes dhe dy zëvendësit e saj, Jusiq dhe Boris Jereniq, erdhi nga partitë e majta opozitare dhe Partia Social-Demokrate dhe Fronti Demokratik më 16 shkurt.

Ata thanë se kërkesa për praninë e trupave mund të bëhej vetëm nga institucioni i presidencës si një i tërë – që do të thotë me mbështetjen e anëtarit boshnjak dhe atij kroat të presidencës.

Ata thanë se Ministria e Mbrojtjes kishte pranuar në mënyrë të paligjshme një kërkesë nga anëtari serb i presidencës.

Veprimet e Pendes, Jusiq dhe Jereniq kanë qenë shumë të dëmshme për reputacionin e forcave të armatosura të vendit, pretenduan më tej ata.

Disa politikanë të opozitës në janar paraqitën gjithashtu një ankesë penale kundër Ivaniq, Pendes, Jusiq, Jereniq, si edhe kundër shefit të përbashkët të shtabit të ushtrisë, gjeneralit Anto Jeleç, dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë të ushtrisë, duke i akuzuar ata për shpërdorim detyre në lidhje me këtë çështje.

Ministria e Mbrojtjes nisi një hetim në lidhje me këtë çështje në janar për të përcaktuar se çfarë ligjesh ishin shkelur, dhe nëse ishte kështu, cili person në zinxhirin komandues i shkeli ato.

Raportohet se një analizë e Ministrisë së Mbrojtjes i është dërguar presidencës, por nuk dihet ende se kur do të bëhet publike.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vendosi në vitin 2015 se festimi i Ditës së Republikës Srpska më 9 janar ishte diskriminuese ndaj joserbëve në entitet, sepse ajo është gjithashtu një festë fetare ortodokse serbe – dita e Shën Stefanit, i cili është shenjtori mbrojtës i Republikës Srpska.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës dhe pavarësisht kundërshtimeve të forta nga boshnjakët, Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët e BE-së, autoritetet e Republikës Srpska mbajtën një referendum më 25 shtator duke kërkuar mbështetje publike për këtë festë.

Edhe referendumi u cilësua gjithashtu i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Dita e Republikës Srpska shënon përvjetorin e krijimit të entitetit në vitin 1992, të cilën disa boshnjakë e shohin si një paravijë të luftës që shpërtheu tre muaj më vonë.