Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke folur gjatë një konference shtypi, | Foto nga : LSA

Shkarkohen Drejtorët e Disa Burgjeve të Shqipërisë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka shkarkuar nga detyra drejtorët e burgjeve në disa qytete, duke i dërguar ata për ndjekje penale. Ministrja deklaroi se drejtorët e shkarkuar akuzohen për shkelje të rënda, që rrezikonin sigurinë në burgje.

Në një dalje për media, ministrja Gjonaj njoftoi largimin nga detyra të drejtorëve të Burgjeve në Lezhë, Rrogozhinë, Lushnjë, Peqin, Tepelenë, Sarandë, (i dënuar më parë), Berat, Durrës. Njëherësh ministrja njoftoi për hapjen e garës për drejtorë të rinj në këtë institucion.

“Hapim garën për 23 drejtues burgjesh, pozicionet për zv/drejtor, drejtor të policisë së burgjeve dhe drejtorin e burgut të ri në Shkodër. Nuk do të ketë më emërime për qoka politike, por bazuar te vlerat njerëzore. Deri në emërimet e reja në krye të burgjeve janë komanduar punonjësit profesionistë” deklaroi ministrja Gjonaj.“

Sipas Gjonajt kontrollet e kryera kanë evidentuar shkelje të rënda, shkelje që rrezikojnë sigurinë e burgjeve. Janë evidentuar raste të futjes së lëndëve narkotike në burgje. Ministria e Drejtësisë e vendosur për zbatimin e ligjit, nuk do lejojmë asnjë shkelje. 88 vepra penale i referohen burgut të Peqinit, ndërkohë 36 vepra të tjera i referohen burgut të Rrogozhinës. Pavarësisht alarmit të vënë nga prokuroria nuk është vepruar më parë nga ana e kësaj ministrie. Arsyet e mosveprimit mbeten të panjohura.

Ministraj e Drejtësisë nënvizoi se janë verifikuar të paktën 6 raste të lejimit të futjes së lëndëve narkotike në burgje. Në burgun e Durrësit jo më larg se muaji gusht janë arrestuar specialisti i edukimit dhe shitësi i njësisë tregtare për shpërndarje lëndësh narkotike. Janë evidentuar shkelje të përsëritura të rregullores së përgjithshme në organizmin, funksionimin dhe kontrollin. Është evidentuar mosmarrja e masave të menjëhershme për personelin, që kryejnë aktet e ushtrimit të dhunës së të dënuarve. Mjafton të kujtojmë rastin e Peqinit, ku u shkarkuan Është evidentuar mosmarrja e masave për parandalimin e korrupsionit në institucionet ku drejtojnë

“Nënvizoj rëndësinë e madhe që ka nisja e ndjekjes penale për të gjithë individët e kallzuar apo ata që do të kallzohen mënjherë prej nesh, për të garantuar sistemin e burgjeve edhe në të ardhmen, duke kaluar nga epoka e pandëshkueshmërisë në epokën e drejtësisë,” tha Gjonaj.

“Ne jemi të vendosur për zbatimin e ligjit dhe se nuk do të tolerojmë asnjë rast abuzimi apo korrupsioni për çdo zyrtar publik që shkel ligjin,” shtoi ajo.

Të kontaktuar nga BIRN disa nga drejtuesit e burgjeve të shkarkuar i thanë BIRN se lajmin e largimit nga detyra e kishin marrë nga televizioni.

Drejtori i burgut të Lezhës Gëzim Ngjeçi tha se lajmin për shkarkimin e tij e kishte mësuar në media, por realisht ai e quan veten ende në detyrë.

”Unë jam ende në detyrë, përderisa nuk ka një urdhër të shkruar, ku të më komunikohet largimi nga detyra dhe arsyet pse duhet të largogem,” tha Ngjeçi.

Ky i fundit shtoi se detyrën e tij e kryen me shumë përkushtim dhe në asnjë moment nuk ka rrezkuar sigurinë e brendshme dhe të jashtë të burgut, dhe jo më sigurinë kombëtare të vendit.

BIRN komunikoi dhe me drejtorë të tjerë të Burgjeve të cilët ministrja Etilda Gjonaj në një dalje publike tha se ishin shkarkuar, por ata pohuan se nuk janë njohur me asnjë dokumentacion për largimin e tyre.

Arjan Hoxha, ish drejtori i përgjithshëm i burgjeve, doke komentuar shkarkimin e drejtorëve të burgjeve pranoi që në institucionet e vuajtjes së dënimit ka probleme,por shtoi se jo gjithmonë përgjegjësitë bien mbi drejtuesit administrativë.

“Përgjegjësia nuk është drejtpërdrejtë e drejtorëve, ai ka më shumë detyra administrative organizative. Ai bën pjesë te pjesa civile e punonjësve. Drejtori mbanë përgjegjësi ndaj abuzimeve me detyrën, por përgjegjësia është e shefit të policisë,” u shpreh Hoxha.

Megjithatë, Hoxha pranoi se problemet në burgjet shqiptare janë të shumta e tepër të rënda. Ai evidentoi më së shumti problematikën e futjes së sendeve të ndaluara, kryesisht aparate telefonik, pije alkoolike apo dhe sende të tjera.