Ilustrim

Shkarkimi i hetuesit që arrestoi zëvendësministrin e Haradinajt, ministri ende nuk ka raport

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ende nuk ka marrë asnjë raport për degradimin në pozitë të hetuesit të policisë i cili po hetonte rastin e zëvendësministrit Musa Cena nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj – AAK.

Ministri Mustafa ka thënë për KALLXO.com, se ka kërkuar raport rreth ndërrimit të pozitës së hetuesit të policisë, por ende nuk e ka marrë një të  tillë.

“Kam kërkuar raportin rreth këtij rasti, por nuk e kam marrë ende. Do t`ju njoftoj posa ta kemi raportin”, ka thënë Mustafa.

KALLXO.com ka raportuar gjatë javës së kaluar për degradimin në pozitë të hetuesit të Policisë së Kosovës  i cili kishte hetuar aferën e korrupsionit të zëvendësministrit të Haradinajt.

H.Sh. tani më nuk mban postin e hetuesit por të Mbikëqyrësit të Sektorit Policor në Stacionin Policor të Jugut në Prishtinë.

Ai ishte hetues në rastin e zëvendësministrit të qeverisë Haradinaj Musa Cena, i cili ishte i dyshuar për ryshfet që nga tetori i vitit të kaluar dhe u dënua muajin e kaluar.

Transferimi i hetuesit H. Sh. në Stacionin  Policor të Jugut, sipas Policisë së Kosovës, është bërë bazuar në Udhëzimin Administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës, për shkak të nevojave të shërbimit.

Kështu të paktën ka deklaruar në një përgjigje për KALLXO.com nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës.

Cena u arrestua më 20 tetor të vitit 2018 nën dyshimin për ryshfet mirëpo pas hetimit rezultoi me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa hetimet për ryshfet pushuan.

Cena u dënua me gjashtë muaj burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por i njëjti është pajtuar që dënimi i tij të kthehet në dënim me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe hetuesin H.Sh. për ndërrimin e pozitës së tij. Ai e ka konfirmuar se i është ndërruar pozita por nuk ka dhënë detaje të tjera rreth këtij rasti.

KALLXO.com ka kontaktuar sot edhe me prokurorin e rastit, Kujtim Munishi, i cili e ka pranuar se hetuesi H.Sh. ishte pjesë e hetimeve në rastin e zëvendësministrit Musa Cena, por i njëjti nuk ka pranuar të deklarohet në lidhje me degradimin e tij në pozitë.