Shkarkime Masive në Burgjet e Kosovës pas Aktakuzës

Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka pranuar shkresën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku është informuar se ndaj zyrtarëve të ShKK-së është ngritur aktakuzë.

“Me qëllim që procedura penale të zhvillohet në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të pandikuar, MD/SHKK ka marrë vendim për largim të përkohshëm nga puna deri në përfundimin e procedurës penale ndaj: E.Th., Sh.H., I.D., A.U., B.D., V.B., A.B., Y.B., G.A., dhe Xh.Z.”, njofton përmes një komunikate Ministria e Drejtësisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Shemsi Hajrizin, zyrtar i Shërbimit Korrektues, i cili ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë aktakuzë ndaj tij.

“Nesër jam i ftuar nga prokurori i EULEX-it në ora 14:00 të japë intervistë“, tha Hajrizi.

Shemsi Hajrizi e konfirmoi se ka pranuar vendimin për suspendimin e tij, por nuk pranoi të komentojë rreth kësaj çështjeje.

Po ashtu, KALLXO.com ka kontaktuar kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë njohuri për ndonjë aktakuzë dhe se nesër mund të ketë më shumë detaje për këtë rast.

Prokuroria e EULEX-it para disa muajsh ka nisur hetimet ndaj disa zyrtarëve të ShKK-së pas arratisjes së kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nga QKUK-ja.